PS depoziton kallëzim për 21 janarin, Gjiknuri: Kallëzojmë në SPAK, Berishën, Bashën e Prendin
PS njoftoi sot përmes sekretarit të përgjithshëm Damian Gjiknuri, se do të dorëzojë padinë në SPAK me provat e reja për të hetuar katër vrasjet e 21 janarit në Bulevard, pas kallëzimi të bërë nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Gjiknuri kërkoi nga SPAK që të zbulohet se kush fshiu serverat e pamjeve të kryeministrisë më 21 janar dhe se kush e pengoi prokurorinë të bënin arrestimet e grupit të zjarrit. Gjiknuri tha se PS i kërkon SPAK të zhvillojë hetime konkrete ndaj të kallëzuarve, se ‘pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të gardës më 21 janar’.
“PS do të depozitojë sot një kallëzim penal ndaj Berishës, Bashës e Prendit. Referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit. Ne e kemi drejtuar gishtin nga Sali Berisha, dhe nuk ka qytetar që nuk e di që urdhëruesit e vërtetë ishin Sali Berisha dhe bashkëpunëtori i tiji afër Lulzim Basha. Drejtësia e re është treguar e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës. Prova e re përmban fakte të reja. Rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtëna ndaj personave të pafajshëm. Faktohet me audio se vrasjet janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është bërë me porosi për të dhe urdhrin e Sali Berishës. Nga deklarimet e bëra publike të të kallëzuarit Sali Berisha tregohet se ai vet ka qenë në komunikim me Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin. Nuk kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia por një vrasjet të kryer me dashje. PS i kërkon SPAK të zhvillojë hetime konkrete ndaj të kallëzuarve. Pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të gardës më 21 janar. PS nuk është pushtet gjyqësor, për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo. Besuam të drejtësia e re, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë në kurriz hijen e zhgënjimit që mbajnë të vrarët e 21 janarit. Duhet vepruar tani. Çdo ditë e humbur është vonë. Do e kallëzojmë sot në SPAK“- tha Damian Gjiknuri.
Dy ditë më parë Ministri Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se në emër të qeverisë është dorëzuar në prokurori, një padi bazuar në këtë provë të re, pas publikimit nga gazetari Artan Hoxha në emisioni Zona Zerro, të një regjistrimi audio, me radio marrëse e dhënëse, mes ish kreut të gardës Ndrea Prendi dhe vartësve të tij në 21 janar 2011 ku u vranë katër protestues. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur verifikimin e materialit të publikuar në media ditët e fundit ku pretendohet për një audio përgjim të komunikimeve të Gardës së Republikës më 21 janar 2011
Të vetmit të dënuar për katër vrasjet në bulevard, 12 vite më parë janë ish komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg.
Fraksion.com