AktualitetPolitikëTë fundit

“Kasetën ia dhashë gazetarit”, xhaxhai i Aleks Nikës: Nuk e dorëzoj në Prokurorinë e Tiranës pasi ajo mund të deformojë provat. Vetëm në SPAK!

Aleks Nika u vra më 21 janar, por familjarët ende kërkojnë drejtësi. Xhaxhai i tij, Mark Nika konfirmoi për Report Tv se ditën e sotme ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Altin Dumanin, të cilit i ka kërkuar që çështjen ta marrë Prokuroria e Posaçme.

Në një bisedë ekskluzive për Report Tv, Mark Nika, tha se që prej muajit korrik 2022 ka në dorë audio-përgjimin, në të cilin ai thotë se është komunikimi mes gardistëve në momentin që ata hapën zjarr drejt protestuesve më 21 janar. Mark Nika thotë se e ka audio-përgjim, por sot nuk ia ka dorëzuar atë kreut të SPAK. Ai këmbëngul se nuk do ta dorëzojë audio-përgjimin nëse kjo çështje nuk i kalon SPAK, pasi nuk ka besim tek Prokuroria e Tiranës. Ndërkohë, Mark Nika bën me dije se është ai që ia ka dhënë audio-përgjimin gazetarit Artan Hoxha.

E kemi që në korrik. Audion e plotë e kemi ne. S’kanë punë gazetarët dhe do ja dorëzojmë vetëm SPAK, se Tirana do na e deformojë. Nuk është kompetencë e SPAK pa tërheqë çështjen. Janë çështje të brendshme derisa të respektohen procedurat. Nuk ka qenë takimi për të dorëzuar audio-përgjimin. Kemi shkuar që SPAK të ndërhyjë, që çështjen ta tërheqin ata. Kemi kërkuar të pyeten ata që kanë dijeni për krimin.

Kasetën ja kemi dhënë ne gazetarit. Të merret vetëm nga SPAK-u. E kemi pasur që në fund të muajit korrik të 2022. Kujt ja japim ne atë! S’kemi besim te askush. Është e manipuluar, ka përputhje zëri me veprimet objektive që janë kthyer në terren. Urdhri dhe qëllimi me automatik. Këto kërkojnë që çështjen ta mbyllin”, tha Mark Nika për Report Tv.

Prokuroria e Tiranës ende po heton si vrasje pa autor rastin e humbjes së jetës së Aleks Nikës më 21 janar, pasi në ndryshim nga vrasjet e tjera që u gjykuan si vdekje nga pakujdesia, për Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën nuk ka ende një autor. Për këtë ngjarje, Mark Nika thotë se SPAK duhet të marrë në pyetje ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha.

“Nuk thërrasin Berishën, Bashën, Prendin. Mjafton vetëm me shikim. Hetimi ka punë”, tha Mark Nika për Report Tv.

Mark Nika zbuloi edhe se çfarë ka biseduar me Dumanin në takimin që u zhvilluar ditën e sotme. Nika tha për Report Tv se i ka thënë Dumanit se kanë frikë ta dorëzojnë këtë audio-përgjim në Prokurorinë e Tiranës pasi ajo mund të deformojë provat.

“Prokuroria ka bërë një kallëzim dhe do të shërbejë si një indicie për të përshpejtuar tërheqjen e hetimeve nga SPAK. SPAK-u e di. E ka bërë shteti tani kallëzimin. Na ka humbur besimi. Të kemi bindjen që SPAK-u nuk do të bëjë lëshime. Te Prokuroria e Tiranës nuk kemi besim. Ka pasur shumë materiale. Prokuroria e Tiranës ka dijeni se plumbi është gjetur në kokë dhe është deformuar ekspertiza. Kam fol në përgjithësi për çështjen. Takimin e kam kërkuar aq sa lejon procedura, të në ndihmojë dhe të kontribuoje që çështjen të tërheqë SPAK-u. Nuk ka punë me gazetarët”, u shpreh Nika.

 

Fraksion.com