Humbin 176 fëmijë shqiptarë; “Anglia nuk njoftoi Tiranën, rrezik trafikimi”!
Nga 200 fëmijë azilkërkues që janë zhdukur nga hotelet e ofruara nga qeveria britanike, 176 apo 88% ishin shqiptarë sipas ministrit britanik Simon Murray, deklaratë kjo që sipas Euractiv ngjalli zemërim në Tiranë për mungesën e përgjegjësisë nga autoritetet britanike dhe për faktin se ata nuk janë njoftuar.
“Home Office nuk ka fuqi të mbajë në këto hotele fëmijët e pashoqëruar azilkërkues dhe ne e dimë se disa prej tyre zhduken, edhe pse një pjesë e të zhdukurve janë gjurmuar më pas”, tha ai përpara ligjvënësve në parlamentin britanik.
OJQ-të vendase kanë dhënë vazhdimisht alarmin për fëmijët që zhduken dhe rrëmbehen nga hotelet e ofruara prej Home Office për t’i mbajtur ata të sigurtë. Philip Ishola, shefi ekzekutiv i organizatës kundër trafikimit të fëmijëve Love146, pohoi për The Guardian se ata janë ofruar disa herë të bënin vlerësimin e këtij akomodimi, por kërkesat e tyre fillimisht janë refuzuar, e më pas, janë injoruar krejtësisht.
“Kjo gjë vazhdon prej më shumë se një viti; ështe e qartë se ka pasur me kohë shqetësime serioze për sigurinë e të miturve në këto hotele. Që atëherë, Home Office është paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se fëmijët po zhduken, potencialisht për t’u trafikuar dhe shfrytëzuar, megjithatë këto shqetësime janë injoruar”, u shpreh ai.
Raportohet se të zhdukurit mund të rrezikohen nga trafiku pasi makina janë parë pranë hoteleve ku thuhet se fëmijët janë marrë nga rruga. Daniel Sohege, Drejtori i Stand For All, një organizatë mbrojtëse e të drejtave të njeriut kritikoi ashpër qeverinë britanike, duke thënë se nuk ka bërë gjë tjetër vecse ka sulmuar shqiptarët, duke anashkaluar ndërkohë faktin që të miturit shqiptarë janë një nga grupet më të rrezikuara të trafikimit të fëmijëve.
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) i tha EURACTIV se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka detyrime sipas ligjit për t’i mbrojtur ata dhe ngriti pyetjen nëse kjo indiferencë, i detyrohet faktit që janë të huaj.
Fraksion.com