Shqipëri-Itali, marrëveshje për çështjet e formimit policor
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, ndodhet për një vizitë pune në Itali, ku mori pjesë në tryezën e tretë teknike operacionale mes drejtorëve të policisë italiane dhe shqiptare, me qëllim forcimin e bashkëpunimit policor dypalësh dhe luftën kundër të gjitha kërcënimeve më të rëndësishme kriminale që prekin të dyja vendet.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit bëhet e ditur se takimi i sotëm erdhi si rezultat i takimit të hvilluar më datë 13 janar, mes ministrave të Brendshëm Piantedosi dhe Bledi Çuçi, të cilët kanë përcaktuar linjat strategjike të veprimit policor, në zonën e Ballkanit dhe më në përgjithësi në Mesdhe.
Takimi u hap me përshëndetjen e ambasadorit italian në Shqipëri Fabrizio Bucci dhe të ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani, të cilët vlerësuan nivelin e bashkëpunimit policor të arritur mes dy vendeve.
Prefekti Lamberto Giannini nënvizoi se marrëdhënia e konsoliduar e bashkëpunimit me Policinë shqiptare ka çuar në arritjen e rezultateve shumë të mira në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku theksoi nevojën e rifreskimit të vazhdueshëm të strategjive kundër krimit, për t’i përshtatur ato me kërcënimet globale të cilat ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme.
Ai ka falënderuar prefektin Vittorio Rizzi, drejtorin qendror të Policisë Kriminale dhe Shërbimin e Policisë Postare, për mbështetjen e ofruar në rastin e sulmit të hakerave, ndaj platformës informatike të Policisë së Shtetit, në muajin shtator të vitit të kaluar.
“Ndihem krenar dhe tejet i privilegjuar që me homologët e Policisë italiane dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, takohemi si miq, si bashkëpunëtorë të barabartë të të njëjtit front lufte. Sot, nuk flasim më për bashkëpunime letrash, për burokracira dhe pakte fjalësh, por ulemi krah për krah njëri-tjetrit, me punë konkrete, për punë konkrete, me shifra dhe evidenca që flasin qartë dhe tejet pozitivisht për sa kemi bërë dhe që na motivojmë për gjithçka çfarë mund të bëjmë”, tha Rrumbullaku.
Ai theksoi se, “krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore dhe i lëndëve narkotike, terrorizmi, krimi ekonomiko-financiar dhe së fundi krimi kibernetik, tashmë me përmasa globale, nuk janë më as fenomene dhe as shqetësime brenda kufijve të një shteti.
Lufta ndaj tyre është tashmë prioritet i përbashkët global, ndaj dhe bashkëpunimi i shumanshëm dhe maksimal, ndërmjet institucioneve policore që ne përfaqësojmë, mbetet kura e vetme për parandalimin dhe shërimin e plagëve sociale që lënë paligjshmëritë dhe krimet”.
“Shpreh bindjen time dhe të organizatës që unë drejtoj se, duke vijuar punën e përbashkët në të ardhmen, do të kontribuojmë për të bërë të mundur që në të dyja vendet tona dhe jo vetëm, të jetë gjithmonë e më e vështirë të mbijetojnë shkelësit e ligjit dhe gjithmonë më e lehtë dhe komode, për të jetuar dhe prosperuar qytetarët e ndershëm”, vijoi ai.
Rrumbullaku tha se, “kam bindjen e plotë që në misionet tona, do të jemi gjithmonë përkrah njëri-tjetrit, për të ofruar mbështetje dhe asistencë të ndërsjellë. Ju garantoj se Policia e Shtetit shqiptar mbetet plotësisht e angazhuar për rritjen e partneritetit me autoritetet policore italiane dhe për intensifikimin e bashkëpunimit për përmbushjen e objektivave tanë të përbashkët. Tek punonjësit e Policisë së Shtetit shqiptar do të gjeni gjithnjë kolegë dhe partnerë profesionistë, të sigurtë dhe të besueshëm”.
Gjatë punimeve të tryezës së tretë u vlerësuan bashkëpunimi në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të trafiqeve të paligjshme, bashkëpunimi policor në luftën kundër terrorizmit dhe roli kyç që ka për sigurinë europiane, duke patur parasysh pozicionin gjeografik të Shqipërisë, që e bën atë një nga portat hyrëse në Ballkan.
Grupi “Skënderbeg”, i cili përfshin edhe Kosovën, ka rëndësi themelore, si në çështjet e luftëtarëve të huaj ashtu edhe në hetimet operative të cilat lehtësohen nga një dialog i përpiktë dhe i kualifikuar ndërmjet forcave policore të të dyja vendeve.
Pjesa qendrore e takimit iu kushtua planifikimit të formimit policor. Në këtë fazë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi mbështetjen e Policisë së Shtetit italian, për identifikimin e kritereve të përzgjedhjes për aksesin në karrierën policore, për përgatitjen e programeve të trajnimit të nivelit bazë dhe të dytë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit mes dy akademive të Policisë.
Po gjatë punimeve të Tryezës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane zyrtarizuan marrëveshjen për çështjet e formimit policor, duke firmosur një dokument që përcakton hapat që do të ndërmerren për funksionalitetin dhe implementimin e kësaj marrëveshjeje.
Fraksion.com