Rama: Pakoja e Madhe, mbështetje plus edhe për mësuesit
Mësuesit janë një tjetër kategori përfituese nga Pakoja e Madhe, si një mbështetje plus për të zeruar impaktin e inflacionit të luftës mbi familjet e tyre gjatë këtij dimri të vështirë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e një mësueseje informatike, e punësuar përmes programit “Mësues për Shqipërinë”, në një nga shkollat e kryeqytetit.
Ajo vlerëson se pajisja e kësaj shkolle me laboratorin e informatikës dhe infrastrukturën e nevojshme e lehtëson procesin e mësimdhënies.
“Shkolla është hapur këtë vit shkollor si domosdoshmëri e komunitetit të njësisë nr. 2 në Tiranë. Njësoj edhe si shumë shkolla të rindërtuara gjatë viteve të fundit, kjo shkollë është ndërtuar nga e para. Këtu kemi superinfrastrukturë dhe në laboratorin e informatikës në këto kushte e kam më të lehtë procesin e mësimdhënies në lëndën e kodimit. Mund të them padyshim se jo vetëm nxënësit por edhe ne mësuesit jemi shumë të motivuar në këto kushte. Viti që sapo lamë pas ka qenë plot vështirësi për shkak të inflacionit të luftës por edhe ky vit ka nisur i tillë. Rritja e vazhdueshme e pagave, rimbursimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga qeveria por edhe së fundmi pakoja e madhe e ofruar edhe për ne mësuesit na e lehtëson përballimin e situatës ekonomike për mua dhe kolegët e mi”, tha ajo.
1 milion shqiptarë janë përfitues të një fondi prej 8.068 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria në kuadër të Pakos së Madhe, si mbështetje për të përballuar inflacionin e luftës.
Fraksion.com