AktualitetPolitikëTë fundit

Prezantohet Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, sprovë e bukur mes nxënësve

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit qeveria prezantoi nismën më të re “Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale mesazhin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në kuadër të kësaj dite teksa shprehet se, “ky konkurs është një sprovë e bukur mes nxënësve që i shërben mbrojtjes e kultivimit të gjuhës shqipe brez pas brezi”.

“Arsimi është vlerë, është fuqi por është edhe mirëqenie. Nëse kërkojmë progres dhe sukses atë nuk mund ta arrijmë pa një arsim cilësor. Nëpërmjet tij një qytetar bëhet më kritik, njeh të drejtat e veta, rrit mundësitë e punësimit dhe përmirëson cilësitë e jetës për veten dhe familjen”, tha në videomesazh, ministrja Kushi.

Ajo paraqiti edhe nismën më të re që lidhet me prioritetin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.

“Në këtë kuadër kemi shpallur konkursin kombëtar të gjuhës shqipe midis klasave të nënta nga të gjitha shkollat dhe qytetet e vendit. Konkursi do të zhvillohet në dy faza, e para në nivel zyrash arsimore dhe e dyta në nivel kombëtar. Zhvillimi i fazës së dytë të konkursit do të transmetohet në televizionin publik shqiptar, RTSH shkolla deri në muajin maj ku do të ketë 13 episode dhe një finale të madhe. Në këtë mënyrë ne do të mund të kthejmë vëmendjen e nxënësve, të të rinjve por jo vetëm tek standardet e gjuhës shqipe, duke vlerësuar veçantinë e saj si dhe nevojën për ruajtjen dhe forcimin brez pas brezi”, shpjegoi ministrja Kushi.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit, e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e saj të mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, ka shpallur 24 janarin si “Ditë Ndërkombëtare të Arsimit” duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive”.

 

Fraksion.com