AktualitetNATO/BETë fundit

Kryediplomati finlandez sugjeron anëtarësimin në NATO pa Suedinë

Ministri i Jashtëm i Finlandës sugjeroi të martën se vendi i tij mund të konsiderojë anëtarësimin në NATO pa Suedinë fqinje nëse Turqia vazhdon të bllokojë kërkesën e tyre të përbashkët për të hyrë në aleancën ushtarake.

Pekka Haavisto më vonë u tërhoq nga deklarata, por kjo ishte hera e parë që një zyrtar kryesor qeveritar në secilin nga vendet nordike, dukej se ngrinte dyshime për t’u bërë anëtarë të NATO-s së bashku, në një kohë kur aleanca po kërkon të paraqesë një front të bashkuar përballë luftës së Rusisë në Ukrainë.

Suedia dhe Finlanda nxituan të aplikojnë për anëtarësim në NATO pas agresionit të Moskës ndaj Ukrainës, duke hequr dorë nga politika e tyre e mos-angazhimit. Kërkesa e tyre duhet të miratohet nga të gjithë anëtarët ekzistues të NATO-s, përfshirë Turqinë, e cila deri më tani ka bllokuar zgjerimin, duke thënë se Suedia në veçanti duhet të godasë militantët kurdë në mërgim dhe simpatizantët e tyre.

Të hënën, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi sërish Suedinë që të mos presë mbështetje për aplikimin e saj pas protestave të fundjavës në Stokholm nga një aktivist anti-islamik dhe grupe pro-kurde.

I pyetur një ditë më vonë nëse kishte ende kuptim që Finlanda të vazhdonte së bashku me Suedinë kërkesën për anëtarësim në Nato, zoti Haavisto i tha kanalit YLE se vendi i tij do të duhej të “vlerësonte situatën nëse rezulton se aplikimi i Suedisë do të bllokohej për një kohë të gjatë”.

Ministri Haavisto më vonë u tha gazetarëve në Parlament se komenti i tij ishte “i pasaktë” dhe se ambicja e Finlandës për të hyrë në NATO së bashku me Suedinë mbetet e pandryshuar.

Ai tha se kishte folur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili i kishte theksuar se blloku ushtarak do të dëshironte që të dyja vendet të bashkoheshin në të njëjtën kohë me aleancën.

“Por sigurisht që ka pasur shqetësime brenda NATO-s se si incidentet në Suedi do të ndikojnë në afatin kohor”, tha zoti Haavisto.

Deri më tani, Suedia dhe Finlanda ishin angazhuar për t’iu bashkuar aleancës së bashku.

“Kjo është çarja e parë në unitetin e deritanishëm mjaft mbresëlënës midis Suedisë dhe Finlandës,” tha Paul Levin, drejtor i Institutit për Studime Turke në Universitetin e Stokholmit. “Finlanda aktualisht është disi një viktimë e pafajshme e provokimeve të vazhdueshme nga grupet suedeze, kritike ndaj anëtarësimit në NATO, të mbrojtur nga ligjet shumë liberale suedeze për lirinë e fjalës. Nëse Turqia këmbëngul në bllokimin e anëtarësimit, dyshoj se Finlandës në një moment do t’i duhet të eci përpara e vetme”.

Matti Pesu, një studiues në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, tha se komenti i zotit Haavisto ishte “sinjali i parë publik se ekziston një Plan B nëse kërkesa suedeze për anëtarësim në NATO ngec për një kohë të gjatë”.

Ai theksoi se Finlanda ende ka prioritet anëtarësimin në aleancë së bashku me Suedinë.

“Të kesh Suedinë si një aleate tjetër të NATO-s është një interes jetik sigurie për Finlandën,” tha ai. “Finlanda duhet të konsiderojë alternativa të tjera vetëm nëse ka një mundësi serioze për një vonesë të konsiderueshme në ofertën e Suedisë për në NATO dhe vetëm nëse aleatët e NATO-s mirëpresin hyrjen e Finlandës pa Suedinë”.

Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström tha se Stokholmi ishte “në kontakt me Finlandën për të kuptuar se çfarë nënkuptonte deklarata.” Ai tha se Suedia respekton “marrëveshjen midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë në lidhje me anëtarësimin tonë në NATO”.

Në një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga të tre vendet në një samit të NATO-s vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda u zotuan të mos mbështesin grupet militante kurde dhe të heqin embargot e armëve ndaj Turqisë të vendosura pas inkursionit të saj në Sirinë veriore në vitin 2019.

Demonstratat pro-kurde dhe antiturke në Stokholm e kanë komplikuar procesin. Të shtunën, një aktivist i ekstremit të djathtë nga Danimarka organizoi një protestë jashtë ambasadës turke në Stokholm, ku dogji Kuranin, librin e shenjtë të Islamit. Një demonstratë e veçantë pro-kurde u mbajt më vonë të shtunën në kryeqytetin suedez.

Qeveria suedeze është përpjekur të distancohet nga demonstratat, ndërsa këmbëngul se protesta të tilla mbrohen nga liria e fjalës.

Turqia iu përgjigj me zemërim protestave, duke anuluar një vizitë të planifikuar në Ankara të ministrit suedez të Mbrojtjes. Protestat u mbajtën jashtë misioneve diplomatike suedeze në Turqi, duke bërë që ambasada suedeze në Ankara të mbyllte dyert e saj për publikun të martën.

Presidenti Erdogan sulmoi autoritetet suedeze për lejimin e demonstrative ku u dogj Kurani.

“Është e qartë se ata që lejuan një poshtërsi të tillë të ndodhte para ambasadës sonë, nuk mund të presin më asnjë mirëkuptim nga ne në lidhje me aplikimin e tyre për anëtarësim në NATO,” tha ai.

Ai kritikoi gjithashtu demonstratën pro-kurde, duke akuzuar Suedinë se ka lënë “organizatat terroriste pa kontroll në rrugët e vendit”. Ai tha se nëse Suedia nuk do të tregojë respekt për Turqinë apo myslimanët, atëherë “ata nuk do të shohin asnjë mbështetje nga ne për çështjen e NATO-s.

Presidenti finlandez Sauli Niinistö, i cili vizitoi Ukrainën të martën, tha se nuk priste ndonjë përparim në këtë çështje përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare turke që do të mbahen më 14 maj.

Turqia dhe Hungaria janë të vetmet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë ratifikuar pranimin e Finlandës dhe Suedisë./VOA

 

Fraksion.com