Gjenden dokumenta sekrete në shtëpinë e ish-nëpresidentit Pence
Dokumente që përmbajnë shenja si të klasifikuara u gjetën javën e kaluar në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence në Indiana, sipas një letre që avokatët e zotit Pence i dërguan Arkivave Kombëtare. Kjo është gjetja e fundit në një varg zbulimesh në rezidenca private të dokumeteve sekrete.
“Duket të jenë një numër i vogël dokumentash, që mbajnë shenjat si të klasifikuara, që janë paketuar dhe transportuar pa dashje në shtëpinë private të ish-zëvendëspresidentit në fund të mandatit”, shkruante avokati i zotit Pence, Greg Jacob, në një letër të cilën e ka parë edhe agjencia e lajmeve Associated Press.
Ai shkruante se zoti Pence “angazhoi një avokat të jashtëm, me përvojë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, për të shqyrtuar të dhënat e ruajtura në shtëpinë e tij pasi u bë publike se ishin gjetur dokumente sekrete në shtëpinë private të Presidentit Joe Biden në Wilmington”.
Departamenti i Drejtësisë tashmë ka angazhuar prokurorë të posaçëm për të hetuar gjetjen e dokumenteve sekrete në rezidencën e ish-Presidentit Donald Trump në Florida dhe në shtëpinë dhe ish-zyrën e Presidentit Biden.
Departamenti i Drejtësisë thotë se rreth 300 dokumente të shënuara si të klasifikuara, përfshirë disa të nivelit tepër-sekret, u morën nga Mar-a-Lago. Zyrtarët po shqyrtojnë mundësinë për ngritje akuzash ndaj zotit Trump apo dikujt tjetër, për posedim të paligjshëm të dokumentave ose për përpjekje për të penguar hetimet penale disa mujore.
Avokati i zotit Pence shprehej në letër se ish-zëvendëspresidenti “nuk ishte në dijeni të ekzistencës së dokumentave sensitive apo të klasifikuara në shtëpinë e tij” dhe se “e kupton rëndësinë e madhe për mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe të klasifikuara dhe se është i gatshëm për të bashkëpunuar plotësisht me Arkivat Kombëtare dhe çdo hetim të nevojshëm”.
Avokati tha se zoti Pence i siguroi menjëherë dokumentet që u zbuluan në një kasafortë. Sipas një letre të dytë nga avokati, që mban datën 22 janar, agjentët e FBI-së vizituan rezidencën e zotit Pence për të marrë dokumentat.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentonte të martën, ndërsa një avokat i zotit Pence nuk iu përgjigj menjëherë një emaili që kërkonte sqarime. Në muajin gusht zoti Pence i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ai nuk kishte marrë me vete dokumenta të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. I pyetur drejtpërdrejt nëse ai kishte marrë ndonjë dokument të tillë, ai u përgjigj: “Jo, jo në dijeninë time”.
Gjatë një interviste në janar me rrjetin Fox Business, zoti Pence e përshkroi si një “proces shumë zyrtar” atë të përdorur nga zyra e tij për trajtimin e dokumentave të klasifikuara, si dhe hapat e ndërmarrë nga avokatët e tij për t’u siguruar që nuk ishte marrë asnjë dokument.
“Para se të largoheshim nga Shtëpia e Bardhë, avokatët e ekipit tim kontrolluan të gjitha dokumentat si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe në zyrat tona apo rezidencën e nënpresidentit, për t’u siguruar që çdo dokument që duhej të dorëzohej në Arkivat Kombëtar, përfshirë dokumentat e klasifikuara, janë dorëzuar. Kështu që ne zhvilluam një proces shumë të kujdesshëm në këtë drejtim”, tha zoti Pence./VOA
Fraksion.com