AktualitetPolitikëTë fundit

“Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” për bijtë e 3 policëve të rënë në krye të detyrës

Qeveria shqiptare ju akordon statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, 5 fëmijëve të heronjve që dhanë jetën në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushit, Roland Likajt dhe Artan Çukut.

Pas 15 fëmijëve të parë që përfituan këtë status të veçantë, sot, pas aplikimeve të reja dhe shqyrtimit të dosjeve në fazën e dytë, i jepet statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” 5 fëmijëve të tjerë, duke nderuar aktin sublim të prindërve të tyre, të cilët kanë sakrifikuar jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e jetës së të tjerëve.

Kryeministri Edi Rama priti sot në zyrën e tij fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës të shoqëruar nga familjarë dhe të afërm të tyre, të cilëve iu dorëzoi Satusin e posaçëm. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Në mbledhjen e fundit që kemi pasur, të komisionit qendror për Fëmijët nën kujdesin e Republikës i është dhënë statusin fëmijëve të 3 policëve të vrarë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushit, Roland Likajt edhe Artan Çukut. Patjetër që është një ndihmë e madhe, është bërë funksionale, pasi tashmë që në muajin dhjetor që ishte mbledhja, janari e ka gjetur me të gjithë plotësimin e të gjithë përfitimeve të statusit për fëmijët, edhe sigurisht një ndihmë për familjet”, shpjegoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se mbështetja për fëmijët që kanë humbur prindërit të krye të detyrës do të vijojë të mbetet një nga prioritetet e qeverisë, sidomos në fushën e arsimit, ku ata do të gjejnë përkrahje maksimale.

“Ne në fakt e kemi pasur goxha merak këtë punë edhe herë pas here kemi diskutuar që s’mund të jetë kjo histori me një ndihmë modeste, si ajo që ishte sepse praktikisht janë fëmijë që humbasin një prind, i cili është në punë, i cili ka një pagë që e sjell në shtëpi. Kështu që menduam ta bëjmë plus pagë domethënë jo thjesht sa paga, por plus në mënyrë që të paktën nga pikëpamja ekonomike të mos kenë asnjë shqetësim për fëmijët dhe asnjë mungesë. Ndërsa përsa i përket pjesës së arsimit pastaj, ato janë ekstra. Kështu që, është mbase pak e vonuar, por jo të gjitha gjërat i kemi ditur dhe i dimë, mësojmë rrugës dhe kuptojmë rrugës si mund t’i bëjmë më mirë. Edhe në këtë pikë dhe me këtë status të them të drejtën ndihemi vërtetë të kënaqur sepse plotësohen në mënyrë shumë kuptimplotë të themi nevojat financiare. Pastaj dihet që edhe sikur të jetë pesëfish, boshllëkun shpirtëror nuk e mbush dot. Por besoj që këta kanë edhe vetëdijen që duhet t’i nderojnë deri në fund baballarët edhe siç janë krenarë për baballarët t’i bëjnë dhe ata të buzëqeshin kur i shohin nga lart”, tha ai.

Më pas, Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ju dorëzuan statusin fëmijëve.

Konkretisht Dajlan dhe Denada Dobrushi, dy fëmijët e Shkëlzen Dobrushit, i cili është shpallur Dëshmor i Atdheut, marrin statusin “Fëmijë në Përkujdesje”, duke përfituar 70% të pagës më të lartë të prindit dhe e përfitojnë deri në moshën 18-vjeçare dhe nëse vazhdojnë studimet e larta e përfitojnë deri në moshën 25-vjeçare.

Arbion dhe Amelia Cuku, dy fëmijët e Artan Cukut, i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, që humbi jetën në krye të detyrës, përfitojnë Statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, duke përfituar 70% të pagës më të lartë të babait deri në moshën 18-vjeçare dhe nëse vazhdojnë studimet e larta e përfitojnë atë deri në moshën 25-vjeçare.

Sonja Likaj, fëmija i Roland Likaj që ka humbur jetën në krye të detyrës, përfiton statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”. Me marrjen e këtij statusi, fëmija përfiton 100 % të pagës më të lartë të prindit deri në moshën 18-vjeçare dhe nëse vazhdon studimet e larta, mbështetja vijon deri në moshën 25-vjeçare.

Fraksion.com