AktualitetPolitikëTë fundit

Balluku: Ujësjellësi i ri i Belshit, furnizim pa ndërprerje për rreth 33 mijë banorë

Në bashkinë Belsh, ka përfunduar ndërtimi i ujësjellësit të ri, një investim i qeverisë shqiptare, i ndarë në tre faza dhe që do të garantojë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afro 33 mijë banorë. Ndërsa për herë të parë, në këtë ujësjellës do të pilotohet funksionimi i tij përmes autoprodhimit të energjisë elektrike duke reduktuar në këtë mënyrë kostot.

Zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i AKUM, dhe kryetari i bashkisë Belsh, Arif Tafani, kanë inspektuar ujësjellësin e ri, ku janë njohur nga afër me realizimin e këtij investimi.

Në këtë ujësjellës janë instaluar 4 pompa të reja që prodhojnë secila nga 60 litra ujë për sekondë, duke garantuar furnizim me ujë pa ndërprerje për banorët e zonës.

Balluku solli në vëmendje se, ky ujësjellës i ndërtuar që në vitin ’86 ishte tejet amortizuar dhe qeveria shqiptare po investon jo vetëm për të rritur furnizimin me ujë të qytetarëve, por duke u siguruar atyre 24 ujë pa ndërprerje dhe me cilësi të lartë sipas standardeve më të mira.

Ministrja shtoi se ujësjellësi i Belshit do të jetë i pari ku një institucion shtetërore do të jetë edhe autoprodhues duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt eficiencës së energjisë.

“Ky ujësjellës do të kthehet në një ndërmarrje fitimprurëse. Është e ditur tashmë që ujësjellësat kanë pasur problematika kryesisht për sa i përket furnizimit me energji dhe në këtë rast këtu do të pilotojmë edhe energjinë e prodhuar nga dielli. Kjo është shumë e rëndësishme pasi do jetë projekti i parë kur vetë një njësi shtetërore administrative, do të jetë autoprodhues. Pra duke reduktuar kostot e energjisë e energjisë elektrike që kemi pasur më parë “, tha ajo.

Balluku tha se, “këto 4 pompa do të furnizohen me energji nga parku fotovoltaik, që do të thotë rreth 400 milionë lekë të kursyera në vit, për ujësjellësin që mund të shkojnë për mirëmbajtjen e rrjetit apo investime të tjera”.

Ky investim i ri konsiston në 14 kilometra linjë kryesore nga stacioni kryesor i pompimit në Shelg. Gjithashtu gjatë fazës së parë u hapën dhe tre pus-shpime të tjera për të garantuar sasinë e nevojshme të ujit duke u shtuar edhe me tre puse të tjera gjatë fazës së dytë. Ndërkohë është ndërtuar dhe një depo e re 1 mijë metra kub që garanton furnizimin normalisht me ujë të kësaj zone.

Fraksion.com