Arrestimi i ish-shefit të FBI; Opozita akuzon për lidhje me kryeministrin, ragon Rama: Jam mësuar me “Big Brother-in” e politikës
Një ditë më parë u bë e ditur se në New York është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar.
Pas akuzave të hedhura sot, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ai shkruan në rrjetet sociale se akuzat ndaj Shefit të Kundërterrorit të FBI-së, nuk kanë lidhje me të.
Rama shkruan se nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA, kjo është çështje e tij me drejtësinë atje.
“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!
Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.
Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, shkruan Rama.
Fraksion.com