AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Profesionistët e Shëndetësisë morën mbështetjen nga “Pakoja e madhe”

Afërsisht 19 mijë mjekë, infermierë dhe profesionistë të shëndetësisë kanë marrë mbështetjen e dhënë nga qeveria, si pjesë e “Pakos së madhe” prej 8 miliardë lekësh.

Kryeministri Edi Rama informoi sot se mbështetja plus ishte për të zeruar impaktin e inflacionit të luftës mbi familjet e tyre gjatë këtij dimri të vështirë.

“Edhe mjekët dhe infermierët e kanë marrë “Pakon e madhe”, si një mbështetje plus për të zeruar impaktin e inflacionit të luftës mbi familjet e tyre gjatë këtij dimri të vështirë”, u shpreh Rama.

Mjekja kardiologe, Anila Rexha e cila ushtron profesionin e saj prej 21 vitesh në shërbimin ambulator të Tiranë në qendrën shëndetësore nr.1, shpreh mirënjohjen ndaj strukturave të shtetit për investimet e kryera në sistemin shëndetësor, teksa kujton se ka kryer vizita kur mungonte edhe ndriçimi.

Nga ana tjetër, ajo theksoi se motivues për ta ishte edhe rritja me gati dyfish e pagave për personelin mjekësor, mjekë dhe infermierë.

“Pakoja e madhe e fundvitit, përveçse kontribut i rëndësishëm financiar ishte edhe vlerësim për kontributin tonë“, deklaroi Rexha.

Alma Koliçi, ndihmës anesteziste rikujton ditët e para të punës së saj, në vitin ‘93, ndërsa thekson se sot përmes aparaturave automatike mund të shikosh gjendjen e pacientit në çdo çast, ndërsa vite më parë, pulsi matej me dorë.

Ajo vlerëson se mbështetja përmes “Pakos së madhe” të Qeverisë është një vlerësim për punën e tyre.

Ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se pagat për mjekët dhe infermierët nga 1 korriku do të rriten me 7 %.

 

Fraksion.com