AktualitetPolitikëTë fundit

“Presidente e CIHEAM në maj”, Krifca takim me presidentin aktual të organizatës

Në maj të këtij viti, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, merr postin e Presidentit të Institutit Ndërqeveritar për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare të Barit (CIHEAM-it). Ajo u takua me ministrin e Bujqësisë të Marokut, Mohammed Sadiki, që mban postin e Presidentit të CIHEAM-it, deri në fund të prilli, gjatë vizitës zyrtare që zhvilloi në Berlin me ftesë të Komisionerit Evropian për Bujqësinë, Janusz Wojciechowski ku mori pjesë në Forumin Global 20223 për Ushqimin dhe Bujqësinë (GFFA), që u mbajt në kuadër të Javës së Gjelbër.

“U takova shkurtimisht me ministrin e Marokut, Mohammed Sadik, i cili ka mbajtur me nder postin e Presidentit të CIHEAM -it, e do të vijojë deri në prill të këtij viti, nga kur do të kem privilegjin ta kryesoj këtë organizëm nderqeveritar në vijim”, u shpreh Krifca ndërsa publikoi foto nga takimi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u zgjodh në mes të nëntorit me votë unanime nga të gjithë pjesëmarrësit si presidente e Bordit Drejtues të Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM), organizatë që për 60 vjet kontribuon për të promovuar kooperimin multilateral mesdhetar në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale, duke patur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shteteve dhe aktorëve të agroushqimit.

Ministrja publikoi në rrjete sociale foto edhe nga takimet me ministrat e Bujqësisë të vendeve të tjera, teksa gjatë kësaj vizite të rëndësishme në Berlin pati rastin të zhvillojë diskutime dhe bisedime për bashkëpunime e projekte të nisura dhe idetë e reja edhe me shumë homologë të tjetë të pranishëm në këtë event botëror.

Forumi Global i Bujqësisë organizuar nën kujdesin e veçantë të ministrit gjerman Cem Özdemir mblodhi në Berlin më shumë se 70 ministra bujqësie, Komisionerin Evropian të bujqësisë, si dhe organizata ndërkombëtare, në një diskutim të gjerë për aktualitetin e politikave ushqimore dhe bujqësore në botë.

Krifca nënvizoi se, “edhe në komunikatën përfundimtare, qëndrimi ynë ishte angazhimi i përbashkët për të siguruar zgjidhje afatgjata përmes projektimit të sistemeve të ushqimit rezistente ndaj krizës dhe miqësore ndaj klimës, promovimit të ruajtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm të biodiversitetit, si dhe forcimit të bashkëpunimit për sisteme të qëndrueshme globale të të ushqyerit”.

 

Fraksion.com