“Kurti ia vuri një kusht pesë diplomatëve për marrëveshjen bazë me Serbinë”
Konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, Michael Martens, gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitunge sheh si pjesë të luftës së botës demokratike kundër Rusisë fashistë, i cili analizon situatën pas vizitës së fundit të ndërkombëtarëve në Prishtinë dhe Beograd. Ai ka treguar në Twitter disa detaje nga takimet e fundit përgatitore për dialogun.
Ai ka frikë se me metodat aktuale, bota demokratike mund të mos ketë sukses në luftën kundër Rusisë fashiste.
“Të premtën e kaluar, një delegacion i rangut të lartë amerikan dhe europian vizitoi Prishtinën dhe Beogradin. Ai përbëhej nga këshilltarët e politikës së jashtme të Emmanuel Macron, Olaf Scholz, kryeministrit italian plus përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së për rajonin”, shkroi Martens në Twitter.
“Të mbështetur nga SHBA, Gjermania, Franca dhe BE-ja në shtator 2022 i propozuan Serbisë dhe Kosovës që ta zgjidhin konfliktin e tyre sipas linjave të traktatit bazë gjermano-gjerman të vitit 1972. Kuptimi: Prano palën tjetër, pa njohje formale. Pranoni të mos pajtoheni. Ecni përpara”, shtoi ai.
Në vizitën e fundit të ndërkombëtarëve, Martens tha se u bisedua më shumë se dy orë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Dhe krejt diskutimi, sipas tij, sillej rreth një pyetjeje themelore: “A janë Serbia dhe Kosova gati t- pranojnë propozimin perëndimor si bazë për zgjidhje?”.
“Thuhet se kryeministri i Kosovës Kurti ka vënë një kusht: Për ta pranuar propozimin e Perëndimit për zgjidhje, atij i duhen garanci se 5 shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë këtë. Kurti dyshohet se ka kërkuar që kjo të përfshihet në propozim”, shkruan Martens.
Por, gazetari i FAZ thotë se këtë kërkesë s’mund t’ia plotësojnë.
“Kjo është padyshim një kërkesë që as BE-ja, as Gjermania apo Franca nuk mund ta përmbushin, pasi nuk mund të flasin (e lëre më të japin garanci) në emër të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros. Të gjitha këto vende kanë arsyet e tyre të brendshme për të mos njohur Kosovën”.
Sipas Martens, “duket se Perëndimi përpiqet ta përfytyrojë Kurtin si një egomaniak kokëfortë që nuk e kupton potencialin e ofertës perëndimore”.
“Por kur shikoni 10 vitet e fundit të politikës së BE-së për Ballkanin, ngurrimi i Kurtit (dhe i presidentit serb Vuçiq) për t’u besuar premtimeve perëndimore është i kuptueshëm”, shkruan ai.
Në thelb, thotë Martens, “të dërguarit perëndimorë vijnë në Prishtinë dhe Beograd si shitës me duar bosh”.
“Ose më mirë: Ashtu si shitësit që përpiqen ta shesin një produkt që nuk e ka magazinë. Nuk është çudi që klientët e tyre të mundshëm janë në dyshim”, shkruan ai.
Premtimi i madh i Perëndimit në rajon që nga vitet 1990 ishte anëtarësimi në Bashkimin Europian, kujton gazetari i FAZ. Por që nga viti 2013, asnjë anëtar i vetëm i ri nuk është pranuar dhe rasti i Maqedonisë mbahet në mend për të keq. Martens tregon se si Maqedonia e ndërroi edhe emrin e saj për hir të anëtarësimit dhe u bllokua sërish nga Bullgaria.
“Kurti dhe Vuçiq sigurisht që e dinë këtë. Pra, pse duhet ta rrezikojnë kapitalin politik? Për një biletë për në Neverland? Kosova nuk po merr as ndihmën e rëndësishme perëndimore në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Pse duhet të presë trajtim më të mirë në rrugën e saj drejt BE-së?”, pyet Martens.
Më pas, ai shkruan se si “perspektiva europiane” e humbi besueshmërinë.
“Burimet thonë se z. Vuçiq e hapi takimin e Beogradit të premten me shfaqjen e tij të zakonshme dramatike. Disa perëndimorë e paralajmërojnë se nuk mund të ulet në dy karrige shumë më gjatë. Hmm. Vërtet? Nuk mundet ai? Nuk jam i sigurt”, shkruan gazetari.
Përderisa Perëndimi e identifikon Kurtin si problemin e vërtetë (edhe pse problemi thelbësor është se BE-ja nuk ka asgjë për të ofruar), Martens thotë se “situata për Vuçiqin është më e lehtë”.
“Ai mund të pretendojë se fajin për mungesën e zgjidhjes e ka Kurti, ndërsa në thelb është dakord me propozimin perëndimor”, shkruan Martens.
Gazetari i FAZ e kritikon Kurtin që po gjen arsyetime për të mos e lejuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por thotë se kjo mund të mos kontribuojë në një zgjidhje të qëndrueshme, “përderisa nuk ekziston një koncept gjithëpërfshirës europian për Kosovën dhe Serbinë”.
“Dhe nuk ka asnjë, aktualisht”, thekson Martens.
“Ky synim për Kosovën dhe Serbinë nuk duhet të nënkuptojë anëtarësim të plotë, por duhet të nënkuptojë diçka që bën një ndryshim thelbësor për njerëzit në rajon – si anëtarësimi në tregun e përbashkët, për shembull”, përfundon Martens./Express
Fraksion.com