AktualitetTë fundit

Ekstazi nga Holanda për lokalet e natës në Tiranë! Ja zonat më të ‘nxehta’ ku shpërndahet drogë

1007 tabletat e ekstazisë që çuan në pranga 3 të rinj paraditen e së dielës, kishte ardhur nga Holanda. Mbi bazën e këtij dyshimi sektori i narkotikëve në policinë e Tiranës po heton mbi personat dhe mënyrën se si kjo drogë sintetike e rrezikshme futet në vendin tonë.

Të arrestuarit, Kejvin Vasej, Grigor Gjinarari dhe 17-vjeçari me inicailet E.M kanë refuzuar të tregojnë personat që siguronin këto tableta, vlera e së cilës në treg arrin në 3 mijë lekë.

Prangosja e të rinjve erdhi pas disa muajsh hetime, ku rezultoi se kjo drogë më së shumti shitej në lokalet e natës, në zona të populluara si ish-Bllok, Unazë e Re dhe Stacioni i Trenit.

Përdorimi i drogave sintetike mes të cilave dhe ekstazisë, së fundmi është kthyer në një problem për policinë.

Megjithatë referuar statistikave lëndët narkotike që përdoren më së shumti në kryeqytet janë Kanabisi, Kokaina dhe Heroina.

6 janë zonat e evidentuara si më problematike në Tiranë, ku janë evidentuar raste më të shumta të shitjes apo shpërndarjes së drogave. Mes tyre janë Tiranë e Re, zona ish-Bllokut, Ali Demi, Kombinati, Unaza e Re dhe Alliasi.

 

Fraksion.com