AktualitetPolitikëTë fundit

Manja: 21 janari krim shtetëror, provë e re materiale se kush janë urdhëruesit e 4 vrasjeve

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dalë sot në një konferencë për media lidhur me protestën e 21 janarit.

“Ngrihet pyetja ku është drejtësia. Çfarë bëhet me këtë krim? Po Rama, PS, ku janë? Ka plot njerëz që thonë se pushteti nuk e do dënimin. Por PS e Rama iu ka dhënë përgjigje me kohë këtyre pyetjeve, me reformën në drejtësi dhe pret nga drejtësia e re, drejtësinë e munguar për 21 janarin. Ne jemi qartësisht në anën e drejtësisë” u shpreh Manja.

“12 vjet përshpirtje dhe përkujtim të 4 dëshmorëve të Demokracisë, pa u zbardhur e drejta objektive dhe pa u vënë para drejtësisë urdhëruesit e veshur me pushtet dhe ekzekutorët e tyre me armët e shtetit janë një kambanë ulëritëse për drejtësinë e re, për të mos lejuar vazhdimin e minimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë në vend. 21 janari është krim shtetëror, akt terrorist i shtetit mbi qytetarët e tij. Kushdo që përpiqet ta justifikojë si lojë pushteti kryen krim mbi drejtësinë. Jeta vlen mbi çdo pushtet” vijoi Manja.

“Janë vrarë në demokraci duke protestuar si qytetar të lirë ditën për diell nga pushkët e pushtetit të kohës në dyert e kësaj kryeministrie. Edhe pse ky është një fakt i ditur botërisht sot 12 vjet pas këtij krimi të shëmtuar shtetëror përpos vetdeklarimeve të vullnetshme të ish- kryeministrit Sali Berisha që vazhdon të deklarojë me mburrje përditë me zë e me figurë se ato i vrau shteti, i vrau Garda e Republikës për të mbrojtur muret e kësaj godine të Kryeministrisë, nga mbrëmë në darkë ka një provë të re materiale që mbështet përditë që mbështet tërësisht deklarimet e ish-kryeministrit dhe provon katërcipërisht se kush janë urdhëruesit dhe autorët e vërtetë të këtyre vrasjeve që vranë përfundimisht shpirtin e protestës qytetare në këtë vend”, theksoi Manja.

“Ky krim shtetëror i pandëshkuar vijon ti bëj karshillëk politik jo vetëm viktimave dhe një populli të tërë por vetë drejtësisë së re, njëlloj si para 12 vjetësh kur negocionte urdhrat e arrestit të drejtësisë kohës me vrasësit e qytetarëve të tij që e kishin ngritur me votë në karrigen e këtij pushteti si kryeministër”, tha Manja.

Manja theksoi se, “si ministër i Drejtësisë së këtij vendi në emër të qytetarëve dhe interesit më të lartë publik e kam për detyrë të ringrejë zërin tim deri në rivendosjen dhe në ribërjen e drejtësisë së cënuar brutalisht për 21 janarin nga vet shteti i kohës”.

“Dosja e vrasjes së Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Murtajt nuk mund të konsiderohet e hetuar përsa kohë nuk është hetuar si krim shtetëror. Drejtësia e cunguar është tallje me vet drejtësinë. Kjo dosje nuk mund të mbetet peng në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës pa asnjë veprim edhe sot pas 12 vjetësh”, shtoi ministri i Drejtësisë.

Manja theksoi se, “nën dritën e kësaj prove të re materiale dhe të tjerave që priten të dalin në dritë nga hetimi i gjithanshëm dhe objektiv i kësaj çështje do të duhet të ishte transferuar me kohë në SPAK, madje për vet ngarkesën e madhe publike që ka duhet të kishte shkuar atje që ditën 1 të krijimit të SPAK-ut si një sprovë themeli për integritetin e kësaj strukture që ka ngjallur shpresat e shqiptarëve tek drejtësia e re për tu hetuar si krim shtetëror dhe për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj kujtdo pavarësisht nga pozita zyrtare që ka mbajtur apo që mban akoma”.

“Si qytetar dhe ministër i Drejtësisë nën dritën e provave që kanë dal e kam për detyrë të kërkoj nga drejtësia e vendit tim hetimin e të drejtës objektive dhe ndëshkimin e autorëve të vërtetë të këtij krimi të shëmtuar në emër të rivendosjes së drejtësisë së shkelur dhe të qetësimit të shpirtrave të 4 Dëshmorëve të Demokracisë dhe familjarëve të tyre. Për drejtësinë e re kjo është prova më e madhe e pavarësisë së tyre nga pushteti i radhës”, u shpreh Manja.

 

Fraksion.com