AktualitetBota+Të fundit

Izrael, mijëra vetë protestojnë kundër reformës në drejtësi të Netanjahut

Dhjetëra mijëra izraelitë iu bashkuan protestave të shtunën kundër planeve të kryeministrit Netanjahu për reformë në drejtësi. Protestuesit thanë se ato rrezikojnë parimin e kontrollit e balancës mes pushteve.

Qeveria thotë se reforma është e nevojshme për të frenuar tejkalimin e kompetencave nga ana e disa gjyqtarëve. Por këto qëndrime kanë ndeshur në kundërshtimin e ashpër të disa grupimeve, duke zgjeruar edhe më tej ndarjet e thella politike që ekzistojnë në shoqërinë izraelite.

Zoti Netanjahu ka folur kundër protestave, që kanë hyrë tashmë në javën e tretë të tyre. Ai i ka quajtur ato si një përpjekje e kundërshtarëve të majtë për të mos pranuar rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, të cilat sollën në pushtet një nga qeveritë më të djathta në historinë e Izraelit.

Protestuesit thonë se e ardhmja e demokracisë izraelite është në rrezik nëse qeveria realizon planet e saj. Reforma do të forconte kontrollin e qeverisë mbi emërimet në gjyqësor e do të kufizonte kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rishikuar vendimet e qeverisë.

Përveç kërcënimit të pavarësisë së gjyqtarëve dhe dobësimit të mbikëqyrjes së qeverisë dhe parlamentit, ata thonë se reforma do të minojë të drejtat e pakicave dhe do të hapë derën për më shumë korrupsion.

Sipas medias izraelite protestat e së shtunës kanë bërë bashkë më shumë se 100,000 persona në qendër të Tel Avivit.

 

Fraksion.com