“E vërteta dihet botërisht”, Rama për 21 janarin: Një fakt i ri rrënqethës sapo ka dalë në dritë
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministra, deputetë të Partisë Socialiste, familjarët e 4 protestuesve të vrarë, si dhe qytetarë, zhvilloi sot homazhe për viktimat e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Homazhe në pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi, ndërkohë që e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri rrënqethës sapo ka dalë në dritë…”, shkruan Rama në rrjetet sociale, ndërsa ndan fotot nga homazhet e sotme.
Sot shënohen 12 vite nga 21 Janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj.
Prokuroria e Tiranës vendosi në qershor të 2021 rifillimin e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës, hetim i cili ishte pezulluar pasi nuk kishte asnjë autor të dyshuar për të.
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë shpallur nga qeveria e Republikës së Shqipërisë “Dëshmorë të Atdheut”.
Fraksion.com