AktualitetTë fundit

Peleshi: Situata nga reshjet pa probleme, nis tërheqja e ujit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se situata e krijuar nga reshjet në të gjithë territorin e vendit paraqitet pa probleme.

Në një postim në rrjetet sociale, Peleshi vlerësoi punën e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në përballje me situatën e reshjeve.

“Falë mirëmenaxhimit të situatës, bashkëpunimit të shkëlqyer mes Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe bashkive të prekura nga reshjet e ditëve të fundit, situata në të gjithë territorin e vendit paraqitet pa probleme të theksuara. Nuk ka zgjerim të hartës së përmbytjeve, në disa zona ka tërheqje të ujit, veçanërisht në Shkodër e Lezhë. Punonjësit e OSHEE-së po vijojnë pa ndërprerje punën për të riparuar defektet dhe rikthyer energjinë në disa zona malore. Angazhim maksimal ka edhe nga forcat e ARRSH-së për pastrimin e të gjitha akseve të bllokuara nga inertet apo rrëshqitjet”, shkruan Peleshi.

Po ashtu, Peleshi theksoi se Forcat e Armatosura do vazhdojnë të jenë në terren për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga reshjet.

“FA do të vijojnë të qëndrojnë në terren për të dhënë ndihmën aty ku ka nevojë. Thirrje bashkive dhe qytetarëve të vijojmë këtë bashkëpunim për të tejkaluar edhe ndonjë problematikë që mund të sjellë moti gjatë fundjavës, ku parashikohen reshje bore dhe ngrica”, shkruan ai.

 

Fraksion.com