AktualitetPolitikëTë fundit

PD: Nafta me çmimin më të lartë në rajon dhe Evropë. Qeveria mbush xhepat në kurriz të shqiptarëve

Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me çmimin e naftës në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediet, anëtari i Kryesisë së PD-së Eno Bozdo tha se çmimi i naftës kudo në botë ka shënuar ulje të ndjeshme gjatë dy muajve të fundit, duke kapur nivelet e çmimeve te paraluftës në Ukrainë.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë gjatë këtyre viteve, edhe shumë përpara luftës, vendi me naftën më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtat në Evropë. Nafta në Shqipëri, për shkak të taksimit shumë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, ishte më e shtrenjtë se në Gjermani, Francë, Norvegji dhe plot vende të tjera evropiane. Por, në të gjitha këto, vende çmimi i naftës, pas stabilizimit të tregjeve ndërkombëtare, është ulur ndjeshëm. Me përjashtim të Shqipërisë ku ky çmim njeh vetëm rritje. Përpara disa ditësh, Bordi i Qeverisë vendosi të rrisë përsëri çmimin e naftës, edhe pse në bursën ndërkombëtare ky çmim është ekzaktësisht në nivelet e paraluftës”, tha ai.

Sipas tij, arsyeja nuk është as infrastruktura dhe as mënyra sesi përllogaritet ky çmim. Madje edhe vetë tregtarët e naftës deklarojnë zyrtarisht se Bordi i qeverisë e rrit çmimin me të paktën 120 lekë për litër, për shkak të mënyrës sesi ai funksionon.

“Pra, arsyeja është një dhe e vetme. Qeveria ka vendosur me çdo kusht ta mbaje të lartë çmimin e naftës, sepse kështu ajo arrin të mbushe xhepat në kurriz të shqiptarëve. Sipas llogaritjeve të ekspertëve, vitin e kaluar vetëm si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, qeveria shqiptare futi në xhep afërsisht 150 milionë euro më shumë. Nga këto para, asgjë nuk i është kthyer shqiptarëve në formën e subvencioneve për rritjen e çmimeve. Si pasojë e inflacionit të lartë dhe rritjes së çmimeve të të gjitha produkteve, qeveria shqiptare arkëtoi ne total rreth 550 milionë euro më shumë gjatë vitit 2022. Një shumë e konsiderueshme, e cila në një vend normal do të duhej t’i kthehej e plotë qytetarëve. Në fakt, çfarë u kthehet atyre janë vetëm karamele elektorale, sepse zgjedhjet vendore po afrojnë. Rritja e çmimeve ka varfëruar edhe më tej të varfërit dhe po e çon shtresën e mesme me shpejtësi drejt varfërimit të plotë. Shqiptarët deklarojnë se 42% e buxhetit të tyre shkon vetëm për ushqime. Ndërkaq, ushqimet e shportës janë shtrenjtuar mesatarisht me 12%”, tha ai.

 

Fraksion.com