Operacioni i SPAK, zbardhet ngjarja kriminale e ndodhur në 2019, në pranga 5 persona, shpallen në kërkim 4 të tjerë
Policia ka zbardhur ngjarjen kriminale të ndodhur të vitin 2019, ku u bë atentat ndaj Arjan Ndoj.
Pas kontrolleve të kryera në 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë, kanë rënë në pranga pesë persona dhe në kërkim janë shpallur katër të tjerë.
Policia e Tiranë në një njoftim zyrtar sqaron se në finalizimin e operacionit “Komploti” janë sekuestruar:1 armë gjahu, 1 jelek anti-plumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Komploti”, për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në vitin 2019.
Operacioni u zhvillua në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.
Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 shtetas. Shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.
Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“.
Gjatë këtij operacioni janë ekezkutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit:
B. H., 54 vjeç, M. D., 38 vjeç dhe G. N. alias K. N., 40 vjeç, të tre banues në Durrës;
E. S., 29 vjeç dhe J. P., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit A. N.), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit A. M. dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit A. L.), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Fraksion.com