Paralajmërime për mundësinë e vërshimeve në Kosovë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar që në ditët në vijm mund të ketë vërshime në disa pjesë të Kosovës, si pasojë e reshjeve të shiut.
Në një postim në Facebook, ky Institut ka thënë se reshjet e ditëve të fundit veçse kanë shkaktuar vërshime të lokalizuara në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës.
Si pasojë e reshjeve, Instituti ka thënë se mund të jenë shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.
Në nëntor të vitit të kaluar, qytetet si Istogu, Peja, Vushtrria dhe Juniku janë përballur me vërshime, pikërisht për shkak të reshjeve të shiut.
Në këto qytete është raportuar për dëme nëpër shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.
Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.
Fraksion.com