AktualitetPolitikëTë fundit

Delegacioni i BE: Procesi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë po ecën përpara

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri vlerësoi sot punën e bërë nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE.

“Procesi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE po ecën përpara! Dje përfundoi procesi i shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, që fokusohen kryesisht në të drejtat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike”, theksoi Delegacioni i BE-së në një postim në rrjetet sociale.

“Sot në Bruksel, nisën takimet dypalëshe të shqyrtimit analitik të grupit të dytë të kapitujve, ku trajtohen katër liritë themelore të tregut të përbashkët të BE-së: lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit, krahas politikës së konkurrencës, pronësisë intelektuale dhe të drejtën e kompanive, shërbimet financiare, mbrojtjen e konsumatorit dhe të shëndetit”, nënvizoi Delegacioni i BE-së

Po ashtu, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri deklaroi se, BE do të vazhdojë të mbështes Shqipërinë në këtë proces.

“Urime përfaqësuesve shqiptarë të përfshirë deri tani dhe vazhdoni punën e mirë. BE-ja do të vazhdojë t’ju qëndrojë pranë në këtë proces”, përfundoi Delegacioni i BE-së. /gj.m/

 

Fraksion.com