Shefi i shtabit amerikan viziton bazën ku po stërviten ushtarakët ukrainas
Megjithëse janë vetëm ditët e para që ushtarakët ukrainas po marrin pjesë në një program të ri stërvitor të ushtrisë amerikane, mesazhi që po jepet ishte i qartë.
Kohërat janë urgjente. Dhe mësimet që ata do të përfitojnë gjatë pesë javëve në vazhdim për përdorimin e armëve, për autoblindat dhe teknikat më të sofistikuara të luftimit janë jetike, ndërsa përgatiten që të mbrojnë vendin e tyre nga sulmi i forcave ruse.
“Ky nuk është një nga rotacionet e zakonshme”, tha Gjenerali Mark Milley, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, ndërsa u takua të hënën me komandantët ushtarakë. “Ky është një nga ato momente në kohë, kur nëse dëshiron të bësh ndryshimin – ky është momenti”.
Gjenerali Milley, që vizitoi bazën Grafenwoehr për të parë nga afër programin e ri përgatitor për të gjitha llojet e armëve, tha se programi do të përgatisë më mirë forcat ukrainase për t’u hedhur në ofensivë ose për të përballuar një rritje të sulmeve ruse.
Ai kaloi mbi dy orë në “Kampin Kherson”, një pjesë e bazës e emërtuar sipas qytetit ukrainas ku u shënua fitorja e rëndësishme e forcave ukrainase kundër Rusisë. Një ditë përpara vizitës së Gjeneralit Milley, mbi 600 ushtarakë ukrainas filluan programin e zgjeruar stërvitor.
Për herë të parë nga fillimi i luftës, gazetarëve iu mundësua qasja tek disa pjesë të programit stërvitor. Gazetarët u lejuan ta shoqëronin Gjeneralin Milley dhe të ndiqnin komunikimin e tij me ushtarakët dhe komandantët ukrainas dhe amerikanë, por nuk iu lejua të raportojnë për detajet e bisedave me forcat ukrainase, apo të merrnin filmime dhe fotografi. Kufizimi reflekton shqetësimet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për përshkallëzimin e zemëratës ruse për përfshirjen e Perëndimit në luftë, apo shkaktimin e një konflikti më të gjerë.
Shtetet e Bashkuara kanë patur programe stërvitore prej vitesh në Grafenwoehr, ndër të tjera edhe për forcat e vendeve aleate në Evropë. Por stërvitja e kufizuar për forcat ukrainase filloi vitin e kaluar, pak pasi filloi sulmi rus. Në atë periudhë, programi ishte i përqëndruar tek sisteme të caktuara që po jepeshin nga Shtetet e Bashkuara, si artileria e rëndë.
Muajin e kaluar, Pentagoni njoftoi se do ta zgjerojë programin në përpjekje për të përmirësuar aftësitë e forcave ukrainase. Kursi pesë-javor do t’u mësojë atyre lëvizjen dhe koordinimin me efektshmëri në njësitë e tyre deri në përmasat e batalionit, përdorimin e sistemeve të kombinuara të artilerisë, të njësive të blinduara dhe njësive të tjera tokësore.
Stërvitja në kampin Grafenwoehr drejtohet nga Komanda e 7-të Stërvitore e Ushtrisë Amerikane.
Gjenerali Milley tha të dielën se objektivi është që armë dhe paisje të reja të dërgohen në Ukrainë, në mënyrë që forcat e sapo-stërvitura të jenë në gjendje t’i përdorin “dikur përpara se të fillojnë shirat e pranverës. Kjo do të ishte ideale”.
Programet e reja përgatitore vijnë ndërsa analistët perëndimore sjellin në vëmendje treguesit se Kremlini po përgatitet për një luftë të zgjatur, dhe se komanda ushtarake ruse po përgatitet për një mobilizim ushtarak më të zgjeruar./voa
Fraksion.com