AktualitetBota+Të fundit

Ministri i jashtëm britanik vizitë në SHBA, Kanada; në epiqendër mbështetja për Ukrainën

Ministri i jashtëm britanik James Cleverly do të inkurajojë mbështetjen për Ukrainën gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada që fillon të martën, përpara se të mbushet një vit nga sulmi i Rusisë.

Britania ka qenë një mbështetëse e vendosur e Kievit që nga fillimi i sulmit të Rusisë shkurtin e kaluar, dhe premtoi gjatë fundjavës se do të dërgojë 14 tanke të tipit Challenger dhe armatime të tjera të rënda drejt Ukrainës.

Gjermania është gjendur nën presion për të dërguar tanket e tipit Leopard 2 në Ukrainë, por qeveria gjermane thotë se tanke të tilla duhet të dërgohen në Ukrainë vetëm nëse ka dakortësi mes vendeve kryesore aleate të Kievit, në veçanti Shtetet e Bashkuara.

Zoti Cleverly do t’i thotë Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe homologes kanadeze Melanie Joly se kjo është koha e duhur për të ecur “më tej dhe më me shpejtësi” në dhënien e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

“Sot qëndrojmë të bashkuar kundër luftës ilegale të Putinit, dhe do të vazhdojmë të përdorim lidhjet në veçanti të forta në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, për t’u siguruar se në fund, do të fitojë populli ukrainas”, u shpreh zoti Cleverly në një deklaratë përpara udhëtimit.

Ministria e jashtme britanike tha gjithashtu se zoti Cleverly do të ngrejë temën e Iranit gjatë vizitës, pasi Britania ka thërritur përkohësisht ambasadorin e saj pas ekzekutimit të shtunën të shtetasit britaniko-iranian Alireza Akbari./VOA

 

Fraksion.com