Çuçi: Amnistia fiskale, instrument ligjor për formalizimin e ekonomisë
Ligji për amnistinë fiskale ishte një ndër çështjet që u trajtua sot pas nënshkrimit në Tiranë të Marrëveshjes së Përbashkët mes Ministrisë së Brendshme, Bankës së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për luftën ndaj falsifikimit të monedhave.
Marrëveshja u firmos në ambientet e Bankës së Shqipërisë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.
Çuçi u pyet nga gazetarët e pranishëm lidhur me pr.ligjin e amnistisë fiskale i cili theksoi se është një instrument ligjor që shkon për të formalizuar ekonominë.
“Amnistia fiskale i është një instrument ligjor që më së shumti shkon për të formalizuar ekonominë, kështu që është shumë i rëndësishëm për shqiptarët”, tha ministri.
Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka deklaruar se rritja e transparencës ndihmon dhe në hetime.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ka qenë prioritet i punës së Prokurorisë gjatë viteve të fundit. Ne kemi një sistem tashmë të strukturuar mirë që sektorët janë angazhuar në këtë aspekt, mund të them që rezultatet janë inkurajuese dhe kanë ardhur duke u përmirësuar dhe kjo është vlerësuar dhe në dokumentet ndërkombëtarë ku pasqyrohen rezultatet e Shqipërisë”, tha Çela.
Kryeprokuror theksoi se, “ju siguroj që angazhimi i Prokurorisë është maksimal dhe besoj dhe jam optimist që shifrat do të vijnë duke u përmirësuar dhe pa diskutim që ne nuk jemi vetëm aktorë në këtë fushë. Janë disa institucione të përfshira. E rëndësishme është formalizimi i ekonomisë dhe kjo pa diskutim ndihmon dhe hetimet tona pasi rritja e transparencës, kemi një tablo më të qartë për hetimet që kryen qoftë Policia Gjyqësore, qoftë Policia e Shtetit apo Prokuroria. Angazhimi ynë do të jetë maksimal në çdo aspekt dhe në të ardhmen”.
Fraksion.com