AktualitetTë fundit

Bashkitë dhe “risitë” ekonomike të vitit elektoral

Viti që sapo ka filluar, pritet të jetë një vit me sfida të mëdha. Këto sfida dhe vështirësi që pritet të shoqërojnë zhvillimet në Shqipëri janë të lidhura me mënyrën dhe rrjedhën e proceseve të brendshme kombëtare, ekonomike, politike e demokratike.

Por, nga ana tjetër vështirësi potenciale importohen nga zhvillimet ndërkombëtare, si recesioni i pritshëm apo lufta në Ukrainë (të cilat duhen menaxhuar me kujdes, së pari por mbi të gjitha, mos të spekulohet dhe shfrytëzohet kjo padrejtësisht në tregun ekonomik dhe lojën politike).

Cilat do të jenë “risitë” gjatë vitit 2023? Risia e parë që presim, pa thonjëza, është aspekti politik. Më 14 maj do të zhvillohen zgjedhjet vendore. Këto zgjedhje janë administrative dhe duhet t’u jepet me të drejtë ky kuptim.

Por, ajo që vihet re dukshëm është se edhe këtë radhë, këto zgjedhje, do të jenë sërish më shumë politike sesa administrative.

Kjo është një gjë aspak e mirë, dhe nuk është në praktikat e vendeve të zhvilluara, ku politika dhe fushata qendrore janë të ndara nga ato vendore.

Por, pavarësisht këtij mentaliteti të politikës sonë të vjetër për të eklipsuar çdo gjë, madje edhe në detajet më të vogla dhe periferike të vëmendjes së politikës dhe pushtetit, këto zgjedhje do të shënojnë vërtet risi. Këtë risi e lidh me faktin se pas 4 vitesh, qytetarëve shqiptarë do t’u ofrohet alternativë për të zgjedhur. Bashkive do t’u rikthehen këshillat bashkiake si tempull i pluralizmit, përkundrejt monokolorit aktual.

Juridiksionet territoriale në Shqipëri do të formojnë mozaikun e munguar, edhe në aspektin e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ vendor, do të shënojnë risi për sa i përket përfaqësimit të vendoreve, rritjes së kapaciteteve lobuese, përballjes me qeverinë qendrore, komunikimit ndër-institucional dhe përgjegjshmërinë, konkurrueshmërinë dhe shkëmbimin e praktikave të mira në shërbime, menaxhim dhe lidership.

Në aspektin e shërbimeve publike vendore, qoftë për sasinë dhe cilësinë e tyre, nuk pritet ndonjë risi. Kjo referuar faktit që buxheti për vitin 2023 për bashkitë përbëhet prej 21.761 miliard lekë nga transferta e pakushtëzuar për vitin 2023 (1% e Produktit të Brendshëm Bruto), 9.890 miliard lekë nga funksionet e reja dhe 1 miliard për shlyrjen e borxheve të bashkive.

Këto burime financiare, por së bashku me të ardhurat e veta të bashkive, nuk sigurojnë dhe garantojnë investime strategjike lokale, nuk sigurojnë përmirësimin e kërkuar dhe të munguar të Infrastrukturës lokale, në rrugë, kanalizime, shërbimet e vaditjes dhe kullimit, pyjet apo kullota, mbrojten nga zjarri, urbanizimi, pastrimi i qyteteve dhe fshatrave, furnizimi me ujë, etj.

Nga ana tjetër, vihet re një buxhet jo i mjaftueshëm për rindërtimin për bashkitë e prekura nga tërmeti 2019. Shpërndarja e shërbimeve publike vendore, por jo vetëm, në një vit elektoral shoqërohet nga njëra anë me një dinamikë para elektorale, dhe kjo ndihet në 6 mujorin e parë të vitit, por nga ana tjetër mund të kemi një ‘pauzë’ që vjen nga ndryshimet e lidershipit, të këshillave bashkiakë, prioritetet e lidershipit të ri, etj.

Risia në aspektin ekonomik dhe financat e bashkive. Rritja ekonomike kombëtare që parashikohet të jetë 2.2% sipas Bankës Botërore, niveli i të ardhurave ditore për frymë për 1/3 e popullsisë në masën 6.8 USD, faktorë të tjerë me ndikim që analizuam më sipër, por dhe të tjerë që lidhen me aftësitë menaxheriale për të mbledhur të ardhura dhe realizuar shpenzime efektive që sigurojnë zhvillim ekonomik, përbëjnë faktorët e brendshëm ekonomik me të cilët do të ndeshen bashkitë dhe ekonomitë bashkiake.

Por, nga ana tjetër, nuk mund të anashkalohet apo të lihet jashtë vëmendjes së drejtuesve vendorë edhe recensioni i pritshëm global. Historitë e recensionit kanë treguar se goditjet ekonomike japin ndikime të mëdha në financat e pushtetit vendor.

Bashkitë, potencialisht nga recesioni, do të vihen në presione fiskale me të cilat dhe për të zbutur efektet, duhet të jenë të përgatitur dhe të ndërmarrin aksionet dhe politikat e duhura që të mbajnë shërbimet në nivel të pranueshëm.

Por, sado i lehtë të jetë ndikimi nga recensioni i pritshëm, bashkitë duhet të mendojnë dhe projektojnë politikat e tyre për pasojat e mëvonshme. Bashkitë, edhe pse të pavarura, pashmagshmërisht ndikohen nga ekonomia kombëtare, por edhe kanë fuqi dhe liri të veprojnë me politikat e tyre.

Nga pasojat e këtyre situatave të analizuara më sipër, mendoj se bashkitë do të kenë një buxhet dhe ekonomi të sheshtë.

 

Fraksion.com