AktualitetPolitikëTë fundit

555-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, Rama: Çdo të hënë procesi mësimor do nisë me Himnin e Flamurit

Më 17 janar shënohet përvjetori i 555 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu heroit kombëtar të popullit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video të realizuar nga shkolla të ndryshme në 12 qarqet e vendit në 555-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Rama bën të ditur se duke nisur nga java e ardhshme, çdo të hënë në të gjitha shkollat e vendit, para nisjes së procesit mësimor do të këndohet Himni i Flamurit.

“Dhe me Himnin e Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEUT, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama në rrjetet sociale.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

Si çdo vit, populli shqiptar përkujton Heroin Kombëtar, i cili ndërroi jetë më 17 janar të vitit 1468, në moshën 63-vjeçare.

 

Fraksion.com