Shqipëria notë proteste për gjuhën e ministrit britanik, ambasadori King-Smith mbërrin në Ministrinë e Jashtme
Shqipëria pritet të dërgojë një notë proteste për gjuhën e ministrit britanik.
Burimet për “BalkanWeb” bënë me dije se ambasadori King-Smith ka mbërritur në Ministrinë e Jashtme, ku dhe do t’i jepet nota e protestës për deklaratat diskriminuese të disa zyrtarëve britanikë që bien ndesh me qëndrimet e dy kryeministrave.
Ministri britanik për emigracionin Robert Jenrick përdori një gjuhë të papranueshme për shqiptarët, në një video të publikuar në rrjetet sociale.
“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shteteve të huaja. Dje vizitova një qendër emigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta, emigrantët e paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, thotë ministri në një video.
“E tronditur dhe pa fjalë kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë për disa vota më të mjerueshme. ‘Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin’! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik në gjuhën që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave të Shqipërisë dhe Britanisë të cilët vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, shkruan Xhaçka në Twitter.
Ky nuk është ‘incidenti’ i parë për Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë. Më herët ishte ministrja e Brendshme Suella Braverman e cila i quajti shqiptarët pushtues dhe kjo solli një reagim të kryeministrit Edi Rama si dhe një protestë të shqiptarëve në Londër.
Tirana zyrtare dënoi ashpër deklaratën e fundit nga qeveria britanike dhe thirri ambasadorin Alastair King-Smith, i cili paraditen e kësaj të hëne ka mbërritur në ambientet e Ministrisë Jashtme, ku do i komunikohet dhe nota e protestës nga zyrtarët e kësaj ministrie.
Farksion.com