Gjykata Europiane kundër diskriminimit polak ndaj LGBTQ në punë
Gjyqtarët në Luksemburg: Punëdhënësit nuk mund të ndërpresin kontratat bazuar në orientimin seksual të një personi. Gjykata Evropiane e Drejtësisë tha se një gjykatë polake kishte marrë një vendim të gabuar.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) vendosi të enjten (12.01) kundër diskriminimit të punëtorëve të vetëpunësuar në Poloni për shkak të orientimit të tyre seksual. Qeveria polake, e akuzuar prej kohësh për promovimin e homofobisë, është përfshirë në një mosmarrëveshje të gjatë me BE-në për pavarësinë e gjykatave të vendit.
Përse u hap procesi?
Rasti lidhet me një profesionist të pavarur televiziv, i cili u pushua nga puna pasi publikoi një këngë Krishtlindjesh në YouTube që promovonte tolerancën ndaj çifteve të të njëjtit seks.
Transmetuesi publik mbarëkombëtar TP, që e kishte punësuar personin për shtatë vjet nga viti 2010 deri në 2017, refuzoi të nënshkruante një kontratë të re për shërbimet e tij në redaktim, për shkak të orientimit seksual. Burri e paditi transmetuesin në Varshavë për dëmshpërblim dhe kompensim, por pa sukses.
Gjykata polake mori parasysh një ligj kombëtar që parashikon se orientimi seksual mund të konsiderohet kur zgjedh një partner kontraktual. Ajo ia referoi çështjen GJED-së për sqarim. Gjykata Europiane e Drejtësisë vuri në dukje se ligji i BE-së për trajtimin e barabartë në punësim dhe profesion, i njohur si Direktiva 2000/78, mbron nga diskriminimi, duke përfshirë edhe orientimin seksual të një personi.
“Gjykata vëren se të pranohet liria e kontratës për të refuzuar lidhjen kontraktuale me një person vetëm për shkak të orientimit të tij seksual, do ta privonte efektin praktik të Direktivës 2000/78 dhe ndalimin e çdo diskriminimi të bazuar në të, “- vendosi gjykata.
Këshillat juridike të dorëzuara në GJED në muajin shtator theksonin se ligji kombëtar që lejon diskriminimin nuk përputhej me ligjin e BE-së. Gjyqtarëve në gjykatën evropiane nuk u kërkohet të ndjekin këtë këndvështrim, por shpesh ata e bëjnë.
Shqetësimet për të drejtat e LGBTQ në Poloni
Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2015, partia polake Ligj dhe Drejtësi (PiS) është përpjekur të rrënjosi vlerat familjare më konservatore, tradicionale dhe është akuzuar për nxitjen e homofobisë.
Një raport i vitit 2015-2016 me titull “Situata e personave LGBTA në Poloni” arriti në përfundimin se 69% e personave LGBTQ në Poloni nën 18 vjeç kishin mendime vetëvrasëse./dw
Fraksion.com