AktualitetDialogKosovaRajoniTë fundit

Chollet: Nuk erdha në Prishtinë e Beograd për ultimatume, por për të shtyrë përpara dialogun

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar se gjatë dy ditëve të kaluara nuk vizitoi Kosovën dhe Serbinë për dhënë ndonjë ultimatum, por për të shprehur mbështetjen e tij të fortë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për të eksploruar mënyrat se si dialogu mund të përparojë.

“Ne besojmë se dialogu me ndërmjetësimin e BE-së është mënyra më e mirë për të përmirësuar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe mirëpresim të dyja palët që të vendosin interesat e qytetarëve në plan të parë kur marrin vendime dhe të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. E di se vendimet do të jenë të vështira, por ShBA-ja është këtu për të inkurajuar liderët që të ndërmarrin ato hapa kritikë, siç kemi qenë atje në të kaluarën. Kjo është një nga arsyet që ne donim të vinim përsëri këtu”, tha Chollet.

Chollet, në një konferencë për media nga Beogradi, tha se personalisht është i gatshëm për diskutime se si të shkojë gjithçka në drejtim pozitiv sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, transmeton Klankosova.tv.

“Ne jemi duke punuar në partneritet të ngushtë me kolegët tanë në BE. Kolegu im Escobar ishte në Bruksel në fillim të javës për të diskutuar këtë. Unë do të jem në gjendje të zhvilloj diskutime se si të drejtojmë gjithçka në një drejtim pozitiv dhe ne do të punojmë mbi të në ditët në vijim”, u shpreh Chollet teksa u pyet se a mendon se BE-ja është mjaft e fortë për të ndërmjetësuar në dialog dhe cili është roli i ShBA-së në këtë proces.

Më tej Chollet tha se fuqishëm mbështesin planin e Bashkimit Evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

“Propozimi evropian është një bazë e mirë për diskutim, ne duam ta inicojmë atë diskutim dhe shpresojmë që do të bëhet në ditët në vijim. Ne besojmë se progresi në normalizimin e marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm. Stabiliteti, mbi të gjitha tani për shkak të Agresioni rus. Ne diskutuam detajet e propozimit dhe kjo është diçka që ne e mirëpresim fuqimisht”, tha ai.

 

Fraksion.com