“Bloomberg”: Perëndimi nuk mund të lejojë që të shpërbëhet Kosova
Mediumi prestigjioz amerikan, në një analizë të publikuar të enjten, shkruan se SHBA dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi të dyja palët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike përpara se ajo të fillojë
“Më shumë se dy dekada që kur NATO hyri në luftë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit sërish është në rrezik. Përshkallëzimi i tensioneve midis qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur perspektivën e ripërtëritjes së luftës që mund të tërheq Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3,700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”, shkruan Bloomberg.
Më tej në analizë thuhet se “me qeveritë perëndimore të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si një shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim fatal”.
“SHBA dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi të dyja palët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike përpara se ajo të fillojë”.
“Shtëpia e rreth 1.8 milion njerëzve, kryesisht shqiptarë etnikë, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Serbia refuzon ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe ka mbështetur përpjekjet e serbëve etnikë që jetojnë në veri të vendit për t’i rezistuar autoritetit të qeverisë qendrore në Prishtinë. Një marrëveshje e vitit 2013 e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian kërkon që Kosova të lejojë një shkallë të vetëqeverisjes për komunitetet etnike serbe. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti e kundërshton këtë për aq kohë sa qeveria serbe në Beograd mohon të drejtën e Kosovës për të ekzistuar”, shkruan mediumi amerikan, transmeton Telegrafi.
“Përplasja u intensifikua vjeshtën e kaluar, kur qeveria kosovare nisi zbatimin e marrëveshjes për heqjen e targave ilegale të Serbisë me akronime të qyteteve të Kosovës. Politika shkaktoi dorëheqje masive të serbëve etnikë që shërbenin në qeverisjen lokale, duke përfshirë rreth 600 oficerë policie. Banorët në zonat me shumicë serbe të Kosovës ngritën barrikada; Kur autoritetet filluan arrestimin e protestuesve, Serbia ngriti alarmin ushtarak dhe kërcënoi se do të ndërhynte. Nën presionin e zyrtarëve perëndimorë muajin e kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i bindi protestuesit të hiqnin barrikadat, por tensionet kanë mbetur”.
Ky medium shkruan se “Bashkimi Evropian ka caktuar një afat kohor deri në mars për Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Edhe pse perspektivat për sukses duken të zbehta, alternativa është më e keqe. Negociatat e dështuara do të inkurajonin përfituesit nga të dyja palët për të nxitur pasionet sektare për përfitime politike. Siç ishte e vërtetë gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990, edhe përleshjet e nivelit të ulët mund të përshkallëzoheshin me shpejtësi në konflikt etnik në shkallë të plotë, këtë herë me mijëra trupa të NATO-s të gjendura në mes. Armiqësi të tilla do të përkeqësonin më tej marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë, e cila po kërkon të rrisë ndikimin e saj mbi Serbinë dhe të pengojë integrimin e saj në BE”.
“Evropa nuk mund të përballojë një luftë tjetër. Parandalimi i një të tillë do të kërkojë rritjen e angazhimit në rajon dhe mbështetjen te të gjitha palët për të rifilluar dialogun. Diplomatët perëndimorë duhet t’i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës gjersa serbët të ndalojnë sulmet ndaj policisë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë”.
Në analizë thuhet se “BE-ja duhet të përjashtojë avancimin e kërkesës së Serbisë për anëtarësim në bashkim derisa Beogradi të angazhohet për një afat kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës. Nga ana e saj, SHBA duhet t’u bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e pacaktuar. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që u jep komuniteteve serbe një vetëqeverisje më të madhe”.
“Për dekada, kombet ballkanike kanë luftuar për t’i shpëtuar një historie ndarjesh dhe grindjesh. Diplomacia e qëndrueshme perëndimore është e nevojshme për të shmangur një luftë tjetër në rajon – dhe për të filluar ndërtimin e një të ardhmeje më shpresëdhënëse për popullin e tij”, shkruan mediumi amerikan.
Fraksion.com