AktualitetPolitikëTë fundit

Siguria dhe zgjerimi, prioritetet e Presidencës suedeze të BE-së

Me rastin e kryesimit nga Suedia të Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, pas përfundimit të Presidencës Çeke, u zhvillua sot në “Shtëpinë e Evropës” ceremonia e organizuar nga ambasadorja suedeze në Tiranë, Elsa Håstad.

E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “prioritetet kryesore të Presidencës suedeze janë siguria, zgjerimi, konkurrenca, transformimi mjedisor dhe  energjisë dhe vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit”.

“Evropë më të sigurt, më të lirë dhe më të gjelbër !”, theksoi ajo.

Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann në një postim në rrjetet sociale falënderoi Republikën Çeke për punën e tyre të palodhur gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së, teksa uroi Suedinë për një Presidencë të suksesshme.

“Urime Suedisë për një Presidencë të suksesshme të Këshillit të BE-së në këto kohë të vështira për Evropën. Mezi pres të punojmë së bashku për agjendën tuaj ambicioze për Unionin tonë”, theksoi ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.

 

Fraksion.com