AktualitetDialogKosovaTë fundit

“Dëmtues dhe vetëshkatërrues”/ Ish ministrja për Asociacionin: Qeveria dhe opozita të nxjerrin qëndrim të përbashkët

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dje gjatë vizitës së tij ka thënë se Asociacioni duhet të formohet urgjentisht dhe se është obligim ndërkombëtar.

Në pyetjen e drejtuar nga GazetaBlic në lidhje me këtë çështje, Chollet ka thënë se kërkesa e SHBA-ve për themelimin e Asociacionit vjen pas situatës së fundit të krijuar në veri të Kosovës.

Se Asociacioni duhet themeluar është pajtuar edhe i dërguar i SHBA-ve për dialogun, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se ai atij nuk mund t’i ikë asnjë parti apo individ njëanshëm.

Lidhur me këtë, ish ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, thotë përGazeta Blic se vizita e tij është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën.

“Vizita e delegacionit të lartë amerikan kryesuar nga Këshilltari i Lartë z.Derek Chollet është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën dhe fazën e re të intenzivitetit diplomatik që filloi dje me këtë vizitë, natyrisht se do të vazhdojë edhe për muajt e ardhshëm”, thotë ajo.

Ajo vlerëson se SHBA e konsiderojnë dialogun çështje urgjente të sigurisë, sidomos pas zhvillime të fundit në veri.

“Siç dihet tashmë, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë dialogun Kosovë – Serbi si çështje urgjente të sigurisë evropiane, dhe status quoja do të rrezikojë edhe më shumë brishtësinë e kësaj sigurie – sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë, zhvillimeve kriminale në veriun e Republikës së Kosovës, dhe kërcënimit të hapur të Serbisë për luftë kundër Kosovës. Prandaj, edhe ne në Kosovë, do të duhej ta trajtojmë si të tillë e të kapitalizojmë vëmendjen amerikane për të arritur sa më parë të një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, duke maksimizuar interesat tona afatgjate në forcimin dhe avancimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, por assesi ky forcim i subjektivitetit ndërkombëtar nuk do të duhej të bëhet me çmimin e defunksionalizimit të shtetit përbrenda”, thekson ish kryediplomatja për Gazeta Blic.

Andaj, ajo thotë se institucionet e Kosovë bashkë me opozitën duhet të ulen bashkë dhe ta diskutojnë qëndrimin e përbashkët për asociacionin me kompetenca ekzekutive.

“Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës bashkë me opozitën (specifikisht partitë që e kanë nënshkruar Asociacionin në të kaluarën) do të duhej të ulen bashkë e të diskutojnë qëndrimin e përbashkët të Kosovës rreth kërkesës serbomadhe për implementim të një asociacioni monoetnik, me kompetenca ekzekutive – të tipit të Republikës serbe në Bosnje. Një manifest i këtij asociacioni që vazhdimisht kërkon Serbia na u shfaq vetëm disa ditë më parë në paradën ilegale të mbajtur në Sarajevë, ku u mblodhën të gjithë apologjetikët gjenocidal serb për të promovuar urrejtje etnike dhe ide hegjemoniste në Ballkan”, vlerëson Haradinaj-Stublla.

Sipas saj, ata duhet të jenë të shkathët në shpërfaqjen reale të pretendimeve të Serbisë, sepse kjo që kërkon SHBA prej Kosovës nuk është ajo që në realitet pretendon Serbia.

“Qeveria e Kosovës dhe klasa politike në përgjithësi, do të duhej të jetë e shkathët në shpërfaqjen reale të pretendimeve të Serbisë, sepse kjo që kërkon SHBA prej Kosovës nuk është ajo që në realitet pretendon Serbia. Serbia nuk e dëshiron një asociacion që është i barasvlefshëm me Asociacionin ekzistues të Komunave të Kosovës – pa dallim etnik – por Serbia dëshiron një Ahtisaari Plus – kompetenca shtesë këtyre ekzistueseve për serbët e Kosovës që ndërhyjnë mes pushteteve lokale dhe qendrore – që krijon një pushtet të ndërmjetëm – gjë që nuk e lejon e as nuk e parasheh Kushtetuta aktuale e Republikës së Kosovës. Kosova është shtet shumë etnik, si vlerë e mishëruar në Kushtetutën e saj moderne, dhe homogjeniteti etnik është vërtetuar se i dobëson shtetet dhe institucionet. Kosova assesi nuk do të duhej të lejojë një derë të pasme për Serbinë – përmes një asociacioni njëetnik përbrenda shtetit të Kosovës – që pastaj përmes asaj dere Serbia e Rusia të kontrollojnë e destabilizojnë sa herë të duan shtetin tone, si dhe paqen e sigurinë në rajon”, potencon ajo.

Ish ministrja shton se serbët kanë të drejta privilegje të zgjeruara me Kushtetutën aktuale dhe me ligjet e Kosovës por që në Serbi shkelen të drejtat e shqiptarëve.

“Serbët veçse kanë të drejta e privilegje të zgjeruara me Kushtetutën aktuale dhe me ligjet e Kosovës, të cilat rrallë se do të mund t’i gjeni në kushtetutat më të avancuara të botës demokratike. Ndërsa vetëm pak kilometra matanë kufirit me Serbinë, brenda saj pra, këto të drejta të pakicave jo që nuk njihen e respektohen, por edhe shkelen në mënyrën më flagrante”.

Ajo thotë se Kosova e ka një Asociacion të Komunave të Kosovës dhe se një asociacion që legjitimon etiketimin etnik të komunave të Kosovës do të jetë dëmtues dhe vetëshkatërrues.

“Kosova e ka një Asociacion të Komunave të Kosovës pa dallim se cila etni përkohësisht mbizotëron shumicën në atë komunë, prandaj është jashtëzakonisht dëmtuese dhe vetëshkatërruese nëse ne implementojmë një asociacion që legjitimon etiketimin etnik të komunave të Kosovës. Për më shumë, në kohën që po jetojmë sot, njerëzit vazhdimisht kërkojnë një jetë më të mirë dhe ndryshojnë vendbanim, andaj edhe përbërjet demografike në qytetet e Kosovës si çdokund në botë ndryshon çdo ditë. Prandaj do të ishte shkurtpamëse nëse ne me vetëdëshirë, dhe duke shkelë Kushtetutën tonë, veprojmë në kundërshtim me këto vlera demokratike. Komunat të cilat aktualisht kanë një shumicë të etnisë serbe, do të mund të vazhdojnë të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe të amplifikojnë zërin dhe interesat e tyre përmes kësaj strukture. Fundja, edhe në marrëveshje të Brukselit Serbia është pajtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të ketë fjalën e fundit rreth një asociacioni potencial, andaj Kosova assesi të mos lejojë të mbetet peng i gabimeve të së kaluarës”, deklaron Meliza Haradinaj Stublla./Gazeta Blic

 

Fraksion.com