Chollet: Presim propozime nga Kosova për Asociacionin
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.
Kështu tha ai më 11 dhjetor gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë.
“Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri”, tha Chollet.
Ai shtoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan Republika Srpskës.
“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”.
“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, tha ai.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është kundër një asociacioni njëetnik.
Përveç diplomatëve amerikanë, edhe ata evropianë i kanë kërkuar Kosovës që të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel sa i përket Asociacionit.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më herët kishte deklaruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”.
Escobar ishte i pranishëm në takimin me gazetarët më 11 janar dhe kur u pyet se për partnerët alternativë, ai përmendi shoqërinë civile, grupet multietnike, institutet, që sipas tij, mund të ndihmojnë që të krijojnë ide për themelimin e Asociacionit, pa prekur ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Chollet tha gjithashtu se mesazhi i tyre për Prishtinën dhe Beogradin është që mos të ketë akte provokuese dhe të punohet drejt shtensionimit të situatës.
Ai shtoi se SHBA-ja dëshiron ta shpenzojë energjinë e saj diplomatike në punën drejt të ardhmes euroatlantike të Kosovës, dhe se Uashingtoni do të donte të shpenzonte më pak energji në menaxhimin e krizave.
I pyetur për takimin e radhës në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ai nuk dha datë por tha ky takim duhet të ndodhë “sa më shpejt”.
Chollet tha se ajo që ka dëgjuar gjatë takimeve në Prishtinë është “një dëshirë e fortë e Qeverisë së Kosovës për t’u angazhuar në mënyrë domethënëse në këto biseda”, dhe shtoi se SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar në lehtësimin e tyre.
Ai nuk deshi të flasë për afatet e arritjes së marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari amerikan shtoi se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën “mbeten shumë të forta”, dhe se vizioni i tyre për vendin është “një Kosovë multietnike, e pavarur, sovrane, e sigurt dhe demokratike”, duke shtuar se janë për integrimin e plotë të vendit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.
“Ashtu si SHBA-ja, edhe Kosova është një shoqëri e larmishme, multietnike dhe ne besojmë se diversiteti i bën vendet tona më të forta. Ne besojmë se Qeveria e Kosovës duhet ta festojë atë diversitet dhe duhet të vendosë politika që sjellin sukses për të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.
Chollet tha se duhet të festohet për të gjitha ato që ka arritur Kosova ndër vite, por shtoi se do të “vijnë shumë sfida”.
“Ne nuk duam ta shohim duke u shpërdorur gjithçka që është arritur dhe nuk duam ta shohim atë potencial të madh, që mendoj se është real, të parealizuar”, tha ai
Para takimit me gazetarë, Chollet takoi liderët institucionalë dhe të partive politike opzitare në Kosovë.
Plani evropian, temë e takimit Chollet-Kurti
Procesi i dialogut, plani evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Cholletit.
“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, u tha në njoftim.
Osmani: Angazhimi i shtuar i SHBA-së, vendimtar për dialogun me Serbinë
Para Kurtit, Chollet, i cili më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, takoi presidenten Vjosa Osmani.
Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është “vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.
Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.
Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.
Zyrtari amerikan takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në rrjetin social në Facebook, nënkryetar i kësaj partie, Dalibor Jevtiq, tha se në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.
Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkuptë Maqedonisë së Veriut.
Vizita e Chollet në Kosovë vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Pas Kosovës, zyrtari i lartë amerikan më 12 janar do të qëndrojë në Serbi.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, një ditë para vizitës së Chollet në Beograd, tha se premtimi i SHBA-së se formimi i Asociacionit e komunave me shumicë serbe do të nisë në janar, pritet të jetë “në tavolinën” e bisedimeve.
“Kjo do të ishte shumë mirë, do të ishte zbatim i Marrëveshjes së Brukselit”, tha ajo për televizion serb, Pink.
Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë./REL
Fraksion.com