Balla: Në mënyrë urgjente dhe të menjëhershme do të ndryshohet ligji “Për komisionet hetimore”
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se në mënyrë urgjente do të ndryshohet ligji “Për komisionet hetimore”, duke transpozuar në të, të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese gjatë 20 viteve të fundit.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla tha se edhe në këtë mbledhje dakordësia ka qenë që menjëherë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të transpozohen në ligj.
“Edhe rregullorja e Kuvendit ka nevojë për ndryshime. Propozimi ynë ka qenë një komision bipartizan për të adresuar këto ndryshime dhe të ecim para me detyrimin që ka Kuvendi, sepse duhet të jetë institucioni i parë që respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Balla.
Në këtë drejtim ai solli në vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese në dhjetor 2022, e cila i dha të drejtë mazhorancës mbi vendimmarrjen për një kërkesë tjetër të komisionit hetimor.
“Opozita është e pakufijshme në të drejtën e saj për të propozuar kërkesa, por kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk do të kemi të drejtë t’i shqyrtojmë. Në Konferencën e Kryetarëve ka pasur dakordësi që Kuvendi i Shqipërisë të adresojë në mënyrë të menjëhershme dhe urgjente të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese në 20 vitet e fundit që nuk janë transpozuar në ligjin për organizmin e komisioneve hetimore”, tha ai.
Balla u shpreh se “bëhet fjalë për një ligj të miratuar në vitin 2002, ndaj të cilit ka një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese, rekomandime që duhen marrë në konsideratë”.
Fraksion.com