AktualitetBota+Të fundit

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë i premton Ukrainës armë dhe ndihmë për pranim në BE

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, bëri një vizitë të befasishme në qytetin lindor ukrainas, Kharkiv, afër kufirit me Rusinë, të martën, duke premtuar më shumë armë dhe “oferta konkrete” për ta ndihmuar Ukrainën që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë para takimit me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba, kryediplomatja gjermane e shprehu solidaritetin e Gjermanisë me ukrainasit që po jetojnë në kohë lufte dhe në kushte të vështira dimërore, raporton agjencia “Reuters”.

“Ky qytet është simbol i çmendurisë absolute të luftës ruse të agresionit në Ukrainë dhe i vuajtjeve të pafundme me të cilat njerëzit, sidomos këtu në lindjen e vendit, ballafaqohen çdo ditë”- tha ajo.

Pasi Gjermania, javën e kaluar, premtoi se do të dërgojë automjete luftarake të tipit “Marder” në Ukrainë si pjesë e rritjes së përkrahjes ushtarake, zonja Baerbock premtoi më shumë armë, pa saktësuar çfarë lloji.

“Në Kharkiv ne mund t’i shohim guximin, qëndrueshmërinë dhe rrjedhimisht shpresën për një jetë në paqe”- tha ministrja gjermane në një konferencë për gazetarë pas arritjes në këtë qytet.

Nënkryetari i Dumës Shtetërore të Rusisë, Leonid Slutsky, duke i bërë jehonë linjës së Moskës se e ka nisur luftën për ta “denazifikuar” Ukrainën, tha se historia do t’i gjykojë ashpër komentet e kryediplomates gjermane.

Ajo “fatkeqësisht, nuk mund ta fshehë simpatinë e saj për rimishërimin e nazizmit në projektin ukrainas dhe në të shprehurit qartazi nostalgjik”- shkroi ai në rrjetin “Telegram”. Slutsky e udhëheq komisionin për punë të jashtme në Duma.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e përsëriti thirrjen e gjatë të vendit të tij për tanke dhe tha se ai nuk ka dyshim që Berlini do t’ia japë Kievit në fund tanket e tipit “Leopard 2”.

“Mendoj se qeveria gjermane, gjithashtu, kupton diku thellë në shpirtin e vet se ky vendim do të miratohet dhe se tanket do t’i jepen Ukrainës”- tha ai.

Kuleba shtoi se zvarritja e procesit në këtë çështje po kushton me jetë të njerëzve, por e falënderoi homologen gjermane për ndihmën e ofruar deri më tani.

Ministrja gjermane tha se është me rëndësi që të mos lihen anash vendi i Ukrainës në Evropë dhe dëshira e këtij shteti për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Ne si qeveri duam që t’i bëjmë oferta shumë konkrete Ukrainës me qëllim që të bëjë përparim në fuqizimin e sundimit të ligjit, në institucione të pavarura dhe në luftën kundër korrupsionit, si dhe përafrim me standardet e BE-së”- shtoi zonja Baerbock.

Ajo tha se Gjermania do të dhurojë 20 milionë euro për përpjekjet për heqjen e minave dhe 20 milionë të tjera për ta fuqizuar qasjen e Ukrainës në terminalet e internetit “Starlink”.

 

Fraksion.com