“Me shpresën se do t’ju kujtohen ende ‘viktimat’”, Rama: Vepër dinjitoze urbane në lagjen “5 Maji”
Në lagjen “5 Maji” po merr formë dita-ditës një vepër dinjitoze urbane e arkitektonike ku do të vazhdojë strehimi i familjeve të prekura nga tërmeti.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale foto nga ndërtimet e pallateve të reja në lagjen “5 Maji”, ndërsa solli në vëmendje edhe protestën e banorëve për shembjen e shtëpive ekzistuese në këtë zonë.
“Me shpresën se do t’ju kujtohen ende ‘viktimat’ e lagjes ‘5 Maji’ tek dera e parlamentit, ku po merr sot formë dita-ditës kjo vepër dinjitoze urbane e arkitektonike, e ku do të vazhdojë strehimi i familjeve të prekura nga tërmeti, përfshirë edhe ata që protestonin për motive politike, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Plani vendor për zonën e “5 Majit” parashikon zhvillimin e një lagjeje të re banimi dhe integrimin e kësaj zone me pjesën tjetër të qytetit.
Projekti i ndërtimit në zonën e “5 Majit” në Tiranë synon jo vetëm zgjidhjen e problemeve të familjeve të prekura rëndë nga tërmeti, por edhe krijimin e një poli të ri në kryeqytet i konceptuar si një qendër e mirëfilltë urbane, e aftë të gjenerojë zhvillim dhe ndërlidhje me pjesën tjetër të qytetit.
Fraksion.com