Dhunimi i 22-vjeçares keniane në Tiranë, 2 përfaqësues të ambasadës së Kenias në Romë takim me shefin e…
Dy përfaqësues të ambasadës keniane në Romë po zhvillojnë në këto momente takim me shefin e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, Petrit Halo, në lidhje me dhunimin e vajzës keniane Joy Aoko në kryeqytet, disa muaj më parë.
Burime për mediat bëjnë me dije se ata kërkojnë informacion në lidhjet me hetimet që po kryhen për ngjarjen, si dhe nëse autoritetet shqiptare kanë identifikuar autorët e ngjarjes së rëndë. Dosja fillimisht u regjistrua në prokurori për plagosje të rëndë me dashje, por më pas iu rikthye sërish policisë për t’u plotësuar. Keniania 22-vjeçare kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa tashmë pritet verifikimi i celularëve dhe i tabulateve telefonike për të kuptuar mes bisedave të vajzës keniane për të shkuar tek autorët e mundshëm.
22 vjeçarja keniane që prej 14 gushtit të këtij viti ndodhet e shtruar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë. Mjekët thanë se kishte tre brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Nëna e saj Ruth.A, një muaj pas ngjarjes u njoftua nga kompania ku ishte e punësuar e bija dhe që nga momenti që mbërriti nga Kenia spitali është kthyer në shtëpinë e saj.
E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Ngjarja e rëndë ku dyshohet se 22 vjeçarja ishte hedhur nga ballkoni i dhomës së saj të hotelit, është raportuar vetëm së fundmi nga ana e policisë nëpërmjet një deklarate ku thuhet se denoncimi ishte bërë nga një prej shoqeve të të plagosurës.
E ëma deklaroi më herë se vajza e saj e cila kishte ardhur në Shqipëri për një jetë më të mirë, përndiqej nga një shofer i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.
Fraksion.com