AktualitetPolitikëTë fundit

Arrestohet Sekretari i Përgjithshëm i Mistrisë së Financave Arlind Gjokuta!

Vetëm pak minuta më parë është arrestuar Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta. Policia e Shtetit ka ekzekutuar një vendim të gjykatës, për zyrtarin e lartë të Ministrisë së Financave.

Së bashku me të policia ka arrestuar edhe drejtorin e burimeve njerëzore në këtë institucion, Fatmir Hoxhaj dhe Alban Ruli, përmbarues.

Tre zyrtarët janë arrestuar nga SPAK me akuzën për shpërdorim detyre. Arrestimet vijnë pas hetimeve mbi të pandehurin Ilir Thana i cili akuzohet për mashtrim dhe kishin nisur edhe për zyrtarë të zyrës përmbarimore dhe Ministrisë së Financave të cilët me veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin kanë shkaktuar një dëm ndaj buxhetit të shtetit që raportohet se kap shifrën e 1.2 milionë eurove.

Prokurori Ndini Tavani ka firmosur arrestimin e tre personave. Bëhet fjalë për një veprim të kryer nga ana e tyre në shtator 2022 kur ata vendosën të kompensojnë një qytetar për një godinë që ishte kompensuar më herët.

Mësohet se shuma prej 480 milionë lekësh që iu kalua shtetasit Ilir Thana nga hetimet e deritanishme të prokurorit Ndini Tavani vlerësohet si një vjedhje në Buxhetin e Shtetit.

I dyshuari Thana dyshohet se u ndihmua për mashtrimin nga zyrtarë por edhe përmbarues edhe ata nën hetim.

Sipas hetimeve në qershor 2022 funksionarë të tjerë si drejtorë të buxhetit dhe të ankesave gjyqësore u paralajmëruan nga një specialiste e thjeshtë që iu tregoi statusin e objektit një magazinë për të cilën kanë vazhduar të dalin miliona nga buxheti i shtetit. Godina sipas prokurorisë iu shit të arrestuarit Thana mbi 1 milion lekë nga drejtoria e shërbimit qeveritar në prill 1992 e së bashku me të edhe një truall.

Por tre vjet më vonë, komisioni i kthimit e kompensimit të pronave ia ktheu ndërtesën ish-pronarëve, një vendim i cili u mbështet edhe nga gjykata që urdhëroi kthimin e parave që blerësi kishte harxhuar në atë kohë, të konvertuara me indeksin e rritjes së çmimeve.

Edhe pse qytetari u pagua në 2015 nga Ministria e Financave, në 2022 pavarësisht kësaj, së bashku me një zyrë përmbarimore nën hetim u krye rivlerësimi duke i vendosur çmimin prej 145 milionë lekëve të reja që shteti duhet t’ia paguante sërish. Burimet thonë se e njëjta ministri i kaloi sërish 480 milionë lekë Thanës dhe së motrës duke i sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm.

 

Fraksion.com