AktualitetPolitikëTë fundit

Tragjedia e Gërdecit, Mediu paraqitet sot në SPAK. Dy akuzat për ish-ministrin e Mbrojtjes

SPAK ka përfunduar hetimet për tragjedinë e Gërdecit dhe ka marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Ish-ministri i Mbrojtjes, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu është akuzuar sot nga SPAK për shpërdorim detyrë në tragjedinë e Gërdecit, ku në 15 mars të vitiit 2008 humbën jetën 26 persona, dhe shumë të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një fabrikë të demontimit të armëve.

Në dalje nga SPAK, Mediu, i cili në 2008-ën ka qenë ministër i Mbrojtjes, u shpreh se iu prezantua e njëjta akuzë si në 2009-ën.

“Dua t’ju bëj me dije që më është prezantuar i njëjti fashikull nga të njëjtët prokurorë me të njëjtën akuzë. Pra, akuza e prokurorëve e vitit 2009. Një akuzë që ishte tërësisht e motivuar poltikisht është paraqitur edhe sot, pa shtuar asnjë dokument dhe asnjë provë shtesë”, u shpreh ai.

“Akuza ishte e shpërdorimit të detyrës”, tha Mediu, i cili shtoi se, “kam kërkuar që në fillim që të pyetem, nuk jam pyetur asnjëherë për këtë çështje. 15 vjet shpresoj që të kem të paktën mundësi që të pyetem për aktet që unë kam firmosur”, tha Mediu.

I pyetur se ku është motivi politik këtu, Mediu tha se, “motivi politik është në akuzën që është bërë. Nuk është urdhri i ministrit që ka krijuar problemin dhe kjo është provuar në gjykatë. Dakord. Ka autoritete, të cilat sipas ligjeve dhe akteve ligjore përcaktojnë se ku janë përgjegjësitë. Nëse ministri nuk zbaton VKM-në për të nxjerrë urdhra dhe nuk konsulton me autoritetet civile dhe ushtarake, nuk është ministër. Dhe çdo letër që unë kam nxjerrë, çdo dokument që unë kam nxjerrë, ka ardhur në referencat nga pjesa civile dhe ushtarake”.

I pyetur nëse ka ndonjë provë të re, Mediu tha se, “ajo që m’u paraqit është fashikulli i dosjes së firmosur nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme. Asnjë dokument dhe asnjë element shtesë që të jetë në raport me çështjen dhe akuzën time”.

Sa i përket qëndrimit ndaj akuzës, Mediu tha se, “këtë akuzë nuk e pranoj. Jam i pafajshëm”.

Pas këtij momenti dosja do t’i dorëzohet për shqyrtim paraprak Gjykatës së Posaçme.

 

Fraksion.com