AktualitetPolitikëTë fundit

Projektet zhvillimore, Rama takim me deputetët e Shkodrës në Kryeministri

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me deputetët e qarkut të Shkodrës.

Në takimin e mbajtur në kryeministri ishin të pranishëm ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh drejtuese politike e PS-së në qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropali, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali dhe kreu i FSHZH-së, Dritan Agolli.

Gjithashtu në takim krahas deputetit të PS-së, Benet Beci ishte i pranishëm edhe Agron Çela duke zyrtarizuar largimin nga Partia e Lirisë dhe bashkimin me Partinë Socialiste.

“Shkodra na bashkon – Me deputetët e Shkodrës për ecurinë e projekteve zhvillimore të këtij mandati qeverisës me Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, shkruan Kryeministri, ndërsa publikoi në rrjetet sociale fotot nga ky takim.

Investimet në bashkinë Shkodër përfshijnë lidhjen Shëngjin-Ulqin, bajpasin e Shëngjinit, urën e Bunës dhe rrugën Pulaj.

Po ashtu do të investohet për sheshin e Shirokës, Muzeun e Liqenit dhe pikat panoramike, molet Almonit, hyrjen e Shkodrës, Muzeun e Navigimit dhe Kalanë e Rozafës.

Në zonën e Alpeve investimet përfshijnë rrugën Qafë Thore-Theth, rikualifikimin e Thethit, rrugën Theth-Nderlysaj, faza 1, si dhe aksin Nderlysaj-Lotaj-Lekbibaj-Prekal ose unaza e brendshme e Alpeve.

Po ashtu ndërhyrje parashikohet në rrugën Ura e Mesit-Kala e Drishtit, për ndriçimin e rrugës Ura e Mesit-Kala e Drishtit si dhe për rivitalizimin e Kalasë së Drishtit.

 

Fraksion.com