“Pikëpyetjet për Alda Klosi”, Zëri i Amerikës: I deklaroi paratë e vjedhura me tre javë vonesë
Ish zyrtarja Alda Klosi, në banesën e së cilës dyshohet se u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë rezulton të ketë dhënë dy deklarime të ndryshme në polici mbi paratë që ajo kishte në shtëpi.
Më 15 dhjetor, ditën kur ka ndodhur vjedhja e denoncuar në polici, zonja Klosi ka deklaruar se nuk kishte patur sasi të mëdha parash. Sipas proceverbalit të deklarimit të saj, të cilin Zëri i Amerikës ka mundur ta shohë, zonja Klosi është shprehur se përveç bizhuterive, nga kontrolli paraprak ka konstatuar se i mungonte edhe një sasi parash për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.
Ndërsa, pas arrestimit të Rozeta Dobit, e cila punonte si pastruese tek banesa e ish zyrtares, në një deklarim të dytë, zonja Klosi është shprehur se “gjatë kësaj kohe ka menduar me qetësi për sendet që ka patur dhe se ditën e ngjarjes i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120 mijë euro, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarësh”, të cilat ajo ka shpjeguar se ia kishte lënë xhaxhai.
Kontradikta në dy deklarimet ngre një sërë pikëpyetjesh, pasi duket e vështirë, që një person, që ka në banesë një sasi kaq të madhe parash, të mos ketë konstatuar mungesën e tyre, aq më tepër, kur sipas deklarimeve të djalit të pastrueses, nëna e tij kishte marrë të gjithë kasafortën. Pikëpyetjet shtohen edhe nga fakti se deklarimi i shumës së vjedhur është bërë vetëm pas arrestimit të autorëve të grabitjes, gati 3 javë pas ngjarjes dhe jo më parë.
Zonja Klosi ka mbuluar funksione të larta në administratë, si ish drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave para disa vitesh dhe deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikqyrjes Finaciare.
Fraksion.com