AktualitetTë fundit

Iu vodhën 120 mijë euro, Alda Klosit i dhuruan 2 shtëpi në Shëngjin në 2021! Bashkëpronare e 5 pasurive të paluajtshme në Tiranë

Zyrtarja e shtetit Alda Klosi, e cila ka denoncuar pastruesen Rozeta Dobin se i ka vjedhur në banesë rreth 120 mijë euro dhe bizhuteri, është pronare dhe bashkëpronare e 7 pasurive të palujtshme dhe e një makine. mediet kanë publikuar sot të dhëna zyrtare mbi pasuritë e zonjës Klosi, e cila ka punuar si shefe e kabinetit të ish zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj.

Klosi është pronare e dy apartamenteve në Shëngjin me sipërfaqe 94 m2 dhe dhe 42 m2. Nga të dhënat e siguruara, është bërë pronare e pasurive në tetor 2021 me kontratë dhurimi. Nuk dihet se kush dhe në çfarë rrethanash dy apartamentet i janë dhuruar Klosit.

Alda Klosi është bashkëpronare me Altin Klosin i një apartamenti 72 m2 në Tiranë si dhe i një tjetër apartamenti 47 m2 në Tiranë. Ish zyrtarja e shteti është gjithashtu bashkëpronare e një tjetër apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 50 m2. Klosi është bashkëpronare edhe e dy sipërfaqe trualli në Tiranë 216 m2 dhe 160 m2. Zonja Klosi ka në pronësi edhe një makinë të tipit Toyota RAV4, e vitit 2013.

42-vjeçarja Klosi ka pohuar se 120 mijë euro që i kanë vjedhur ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë.

Mbetet për t’u parë nëse Alda Klosi i ka deklaruar paratë që mbante në banesë dhe bizhuteritë pranë ILDKPKI si subjekt i deklarimit të pasurive, si dhe pasuritë e paluajtshme në Shëngjin dhe Tiranë.

 

Fraksion.com