AktualitetKosovaRajoniTë fundit

DASH kritikon sulmin e Vuçiqit ndaj Josephit

Nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktikat e njollosjes kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Edward Joseph, shkroi në Twitter Departamenti amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë.

Përveç këtij njoftimi, Joseph e publikoi edhe deklaratën ku ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë akuza serioze dhe të pabaza ndaj tij gjatë një paraqitjeje të ligjerit serb në një televizion në Serbi më 30 dhjetor.

Departamenti amerikan i Shtetit shtoi se zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën.

“Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, tha DASH-i.

Ky postim në Twitter u shoqërua me një fotografi të Josephit me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.

 

Më 30 dhjetor, gjatë një paraqitjeje në televizionin Prva, Aleksandar Vuçiq, e quajti Edward Josephin, – ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – “bot shqiptar” lidhur me atë që Joseph kishte deklaruar një ditë më parë në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Duke e quajtur “bastard” Josephin, Vuçiq po ashtu deklaroi për televizionin serb se ky ekspert i Ballkanit merr “shumë para nga lobi shqiptar”.

Presidenti serb nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Çfarë tha Joseph në intervistë dhe pas deklaratës së Vuçiqit?

Gjatë intervistës për REL-in, mes tjerash, Joseph potencoi se sa i përket barrikadave të ngritura nga një grup i serbëve lokalë në veri të Kosovës, që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë, Vuçiq “po manipulonte Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian”.

Ai po ashtu tha se qetësia në Kosovë, pas heqjes dorë nga barrikadat, do të zgjasë “deri kur Aleksandar Vuçqi të vendosë se i duhet një krizë e re në Kosovë”.

Pas akuzave të Vuçiqit, Joseph shkroi në Twitter se ato janë “krejtësisht të rreme” sa i përket lidhjeve të pretenduara financiare mes tij dhe “lobit shqiptar”.

 

Ai shtoi se duke e ofenduar dhe sulmuar personalisht atë, Vuçiq tregoi edhe një herë karakterin e tij.

“‘Nepristojan’ është një fjalë e sjellshme serbe për sjelljen ngacmuese të Vuçiqit. Diplomatët duhet të respektojnë zyrën e presidentit serb. Banorët? Jo dhe aq”, theksoi Joseph./REL

 

Fraksion.com