Daçiq: Për Serbinë ekzistojnë tri vija të kuqe në çështjen e Kosovës
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se “çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me kompromis”, dhe se “për Serbinë ekzistojnë tri vija të kuqe”.
Sipas tij, çdo gjë e nënshkruar duhet të zbatohet, Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe se siguria e serbëve në Kosovë duhet të garantohet.
“Nëse KFOR-i nuk dëshiron ta bëjë këtë, nëse policia e Kosovës nuk dëshiron ta bëjë, atëherë mos na çoni në atë pikë që policia dhe ushtria serbe duhet të garantojnë sigurinë dhe paqen në Kosovë. Kjo është diçka që ne nuk do ta dëshironim”, tha ai.
Këto deklarata Daçiq i bëri në Budapest më 10 janar, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.
Kur flitet për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve, Serbia vazhdimisht kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.
Daçiq tha se për Serbinë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është kundërproduktiv derisa të arrihet një “zgjidhje politike”.
Lidhur me këtë temë, ministri i Jashtëm hungarez tha se vendi i tij do të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë institucion, nëse kjo del në votim.
Szijjarto tha se beson që arritja e një marrëveshje kompromisi me Serbinë mund të rrezikohet, nëse Kosova do të pranohej paraprakisht në mekanizma evropianë. Ai shtoi se Hungaria është e interesuar për një zgjidhje paqësore përmes dialogut.
Në maj të vitit të kaluar Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ndërsa në dhjetor vendi dorëzoi kërkesën formale për anëtarësim në BE.
Komisioni Evropian pritet të analizojë gjatë këtë aplikim, pasi në BE janë pesë vende që ende nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Procesi i dialogut – i cili parasheh normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë– ka nisur qysh në vitin 2011.
Ky proces pritet të dinamizohet gjatë këtij viti.
Nesër në Kosovë pritet të vijë këshilltari i lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ndërsa në Serbi ai pritet të shkojë një ditë më pas./REL
Fraksion.com