AktualitetTë fundit

Vodhën 700 mijë euro në shtëpinë e ish-shefes së kabinetit të Ahmetajt dhe të pasurve të tjerë, nënë e bir dalin sot para gjykatës

Nënë e bir të cilët grabitën rreth 700 mijë euro nga disa shtëpi ku Rozeta Dobi punonte si pastruese, do të dalin sot para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Rozeta dhe Havier Dobi u vunë në pranga pasi rezulton se kanë grabitur shuma të majme parash nga disa banesa, ndërsa e fundit ishte banesa  ish-shefes së kabinetit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi.

Ata dyshohet se kanë grabitur 4 banesa të familjeve VIP, përveç asaj të zyrtares Alda Klosi ku morën 120 mijë euro.

49-vjeçarja dhe djali i saj vodhën 120 mijë euro dhe bizhuteri me vlerë nga shtëpia e ish-shefes së kabinetit të ish.zv-kryeministrit Arben Ahmetaj. Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në shtëpinë e Klosit, kishte fotokopjuar çelësat dhe bashkë me djalin e saj vodhën paratë dhe e inskenuan ngjarjen si një grabitje.

Të dy këta persona akuzohen se kanë vjedhur në total rreth 700 mijë euro nga disa banesa, ku 49-vjeçarja punonte si pastruese.

Përveç 120 mijë eurove, policia kreu një tjetër kontroll në banesën e 49-vjeçares një ditë më parë dhe iu gjeti në tubin e aspirimit 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia. Burimi i këtyre parave mendohet të ketë qenë nga grabitje të ndryshme të banesave nga të cilat, dyshja vidhte çdo gjë me vlerë. Nënë e bir dyshohen si hajdutët e shumë vjedhjeve të cilët ende nuk u është gjetur autori. Rozeta Dobi së bashku me të birin pasi vodhën paratë në banesën në rrugën e Kosovarëve, një zonë e shtrenjtë në kryeqytet, kanë blerë edhe 2 makina Benz, të cilat 23-vjeçari i reklamonte në rrjetet sociale.

Por përveç nënë e bir, në këtë ngjarje duket se e ka pësuar edhe ish-shefja e kabinetit të Ahmetajt, për të cilën prokuroria ka nisur një hetim për burimin e parave që ajo mbante në shtëpi. Klosi thotë se këto para i kishte të deklaruara dhe se i ka mbledhur për kurimin e xhaxhait të saj në SHBA.

Si u grabit ish-shefja e kabinetit të Ahmetajt?

Ngjarja u bë publike pas denoncimit për vjedhjen e banesës te “Rruga e Kosovarëve” nga zyrtarja shtetërore Alda Klosi, të cilët duket se zbulimi i vjedhjes së shtëpisë i ka sjellë edhe pasoja hetimore. 120 mijë euro u referua se janë vjedhur në shtëpinë se Alda Klosi.

Por shuma kap një vlerë shumë të lartë krahasuar me të ardhurat e saj si e punësuar në shtet dhe përse i mbante në banesë një shumë të tillë.

Pastruesja e banesës së Klosit, Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier, prej të shtunës janë vënë në prangat e policisë dhe pritet që sot të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Të dy këta persona, nënë e bir, akuzohen se kanë vjedhur disa banesa, ku 49-vjeçarja punonte si pastruese. Policia bën me dije se gjatë kontrollit të banesën e dy të arrestuarve, janë gjetur të fshehura edhe te tjera para si dhe sende me vlere që kapin vlere të konsiderueshme në tubin e aspirimit të kuzhinës.

Sipas skemës së zbuluar nga policia, Rozeta e cila punonte si pastruese prej 20 vjetësh, në bashkëpunim me djalin e saj, vidhte të pasurit duke shfrytëzuar momentin kur pronarët nuk ndodheshin aty, përmes çelësit që kishte kopjuar. I biri i pastrueses reklamonte në rrjetet sociale jetën e tij të luksit, duke treguar para kesh, makina, varëse floriri e rroba të shtrenjta, por në rrethin e tij miqësor ai shprehej se makinat i kishte marrë me qira.

Ndërkohë banesa e fundit e grabitur nga nënë e bir me 120 mijë euro, i përket shefes së kabinetit të ish ministrit Ahmetaj, Alda Klosi. Burimet bëjnë me dije se policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet pasurore edhe për Klosin dhe mënyrën se si i ka siguruar të ardhurat në vlera kaq të larta.

Por vjedhja e shtëpive të zyrtarëve, prokurorëve, gjyqtarëve, deputetëve apo të afërmve të tyre nuk është denoncuar më herët. Të gjitha banesat që janë vjedhur në muajt e fundit dhe që kanë mbetur të pazbardhura janë në fokus të hetimeve, mbi dyshimin se mund të jetë autor dy të arrestuarit.

 

Fraksion.com