Stresi? Nuk është gjithmonë i keq
Pak fjalë ngjall më shumë emocione negative sesa stresi. Thjesht përmendja e tij mund të sjellë imazhe të afateve për përmbushjen e detyrave, faturave të papaguara ose presionit të provimeve, kjo për të renditur vetëm disa skenarë.
Po sikur stresi të jetë edhe pozitiv? Ashtu siç mund të na dëmtojë, ai gjithashtu luan një rol kyç në forcimin e sistemit tonë imunitar, në krijimin e lidhjeve në trurin tonë që përmirësojnë performancën mendore dhe ndërtimin e aftësisë rimëkëmbëse që na nevojitet për të lundruar në rrugën tonë në jetë.
Kjo gjë doli fillimisht në dritë përmes punës së një psikiatri amerikan të quajtur Firdaus Dhabhar, i cili ishte intriguar nga lidhja e ndërlikuar midis mendjes dhe trupit. Në mesin e viteve 1990, stresi konsiderohej pothuajse unanimisht si i keq për ne, por për Dhabhar-in kjo ishte e palogjikshme. Nga një perspektivë darviniane, instinktet e mbijetesës së paraardhësve tanë të kafshëve do të ishin rafinuar nga ballafaqimi me rreziqet.
“Nuk ka kuptim që stresi të jetë gjithmonë një entitet i keq dhe i dëmshëm,” thotë ai. “Reagimi ‘lufto ose mbathja’ ndaj stresit është thelbësor për mbijetesën. Një gazelë ka nevojë për këtë reagim, për të shpëtuar nga nofullat dhe kthetrat e një luani, ashtu sikurse një luani i nevojitet, për të siguruar vaktin e tij. Nëna Natyrë na dhuroi këtë reagim, për të na ndihmuar të mbijetojmë dhe të lulëzojmë, dhe jo që të na vrasë.”
Stresi fizik dhe mendor i butë deri në mesatar stimulon prodhimin e kimikateve në gjak të quajtur interleukina, duke aktivizuar sistemin imunitar dhe duke e bërë atë më të aftë për të luftuar infeksionet, ndërsa stresi mund të ndikojë edhe në zhvillimin e fëmijëve para se të lindin. Foshnjat e lindura nga nëna që kanë përjetuar stres të lehtë të përditshëm gjatë shtatzënisë kishin aftësi më të avancuara zhvillimore deri në moshën dy vjeçare, krahasuar me fëmijët e nënave që kishin pasur një shtatzëni jo stresuese.
Ekzistojnë gjithashtu mënyra të ndryshme për të menduar për stresin. Përveç presionit dhe tensionit të shkaktuar nga ngjarjet e jetës, forma të ndryshme të ushtrimeve mund të shihen si stres për muskujt, ndërsa lloje të ndryshme sfidash konjitive mund të konsiderohen si stres për mendjen.
Në janar 2017, çiklisti francez Robert Marchand bëri bujë duke vendosur një rekord të ri botëror të grupmoshave. Ajo që ishte e jashtëzakonshme për performancën e Marchandit është se ai kishte mbushur 105 vjeç një muaj më parë dhe kjo përpjekje, e bëri atë të parin qindvjeçar që demonstroi përmirësim të shëndetit kardiovaskular me kalimin e moshës.
Fiziologët zbuluan se Marchand, i cili kishte filluar të merrej seriozisht me biçikletën pasi kish dalë në pension në moshën 68-vjeçare, kishte një kapacitet aerobik për stërvitje – mjeti standard i artë për matjen e aftësisë kardiovaskulare – të krahasueshëm me meshkujt e moshës 42 deri në 61 vjeç, gjysmë shekulli më të rinj se ai.
Studiuesit e plakjes së shëndetshme tani e konsiderojnë atë si një tregues të asaj që mund të jetë e mundur nëse vazhdojmë të aplikojmë stres të menaxhueshëm mbi muskujt, enët e gjakut dhe zemrën ndërsa plakemi. Por shumica e njerëzve nuk janë si Marchand. Shumë prej nesh bëhen gradualisht joaktivë me kalimin e viteve, gjë që përkeqëson çdo ndryshim të lidhur me moshën që është duke na ndodhur. Si rezultat, nëse muskujt tanë nuk janë të stresuar, fibrat e tyre ngadalë atrofizohen dhe ne dobësohemi në mënyrë progresive. Ndërveprimi midis sistemit nervor dhe muskujve bëhet gjithashtu më pak efikas pa përdorim të rregullt, duke ngadalësuar kohën tonë të reagimit dhe duke na bërë më të prekshëm ndaj rrëzimeve.
“Një muskul që nuk aktivizohet me të vërtetë përkeqësohet në shumë mënyra,” thotë Casper Søndenbroe, i cili studion sistemin neuromuskular të njeriut në Universitetin e Kopenhagës. “Muskujt duhet ta kenë këtë stimul për të ruajtur ekuilibrin. Nëse nuk keni një strategji për pjesët e fundit të jetës suaj, kur të arrini 70 ose 80 vjeç, ka të ngjarë të keni disa kufizime në jetën e përditshme, sepse funksionaliteti thjesht nuk është.”
Për ta ilustruar këtë, Andy Philp, i cili drejton programin e biologjisë së plakjes në Institutin Centenary në Sidnei, shpjegon se nëse një mashkull i rritur kalon pesë deri në shtatë ditë i shtrirë joaktiv në një shtrat spitali, ai do të humbasë rreth gjysmë kilogrami të masës muskulore. Por trupi i një personi më të ri mund të rikuperojë dhe rigjenerojë muskujt e humbur shumë më shpejt.
Søndenbroe ka zbuluar se disa forma të stresit të lidhura me ushtrimet janë më mirë se të tjerat, për ruajtjen e masës muskulore në jetën e mëvonshme. Ndërsa një përkeqësim i lidhur me moshën është i pashmangshëm, ai mund të mbahet nën kontroll. Një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është nëpërmjet stërvitjeve të bazuara në rezistencë, duke përdorur pesha. Çiklizmi konsiderohet gjithashtu një formë e stërvitjes me rezistencë.
Studimet kanë treguar gjithashtu se njerëzit që mbeten aktivë përmes sportit ose ushtrimeve të moderuara gjatë moshës së mesme dhe më vonë janë gjithashtu më pak të prekshëm ndaj dobësimit të muskujve. Dhe stërvitja jo vetëm që streson muskujt: është gjithashtu një stërvitje për sistemin nervor qendror, madje edhe për trurin.
Ekziston një ndërveprim i dyanshëm midis muskujve dhe nervave që shtrihen jashtë palcës kurrizore. Kur tkurren, muskujt dërgojnë sinjale përsëri drejt neuroneve motorike, qeliza që kontrollojnë lëvizjen, duke i shtyrë ato të funksionojnë në mënyrë efikase. Rritja e fluksit të gjakut ndihmon në heqjen e proteinave tau – të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit – nga truri dhe lëngu cerebrospinal, si dhe stimulimin e neuroneve për të prodhuar një kimikat të quajtur faktor neurotrofik që rrjedh nga truri, i cili mbron qelizat fqinje të trurit.
Madhësia e trurit tonë zvogëlohet me një normë prej rreth 5% një dekadë pas moshës 40 vjeç, me shkallën e rënies në rritje, pasi kalojmë të 70-at. Megjithatë, kjo tkurrje ngadalësohet te njerëzit e moshuar që bëjnë ushtrime të rregullta aerobike – forma të aktivitetit fizik që pompojnë gjakun nëpër trup – në masën që ata kanë katër vite më pak plakje të trurit.
Studimet e njëqindvjeçarëve dhe superqindvjeçarëve – atyre që jetojnë mbi 110 vjeç – ilustrojnë se rënia konjitive e lidhur me moshën nuk është gjithmonë e pashmangshme. Joyce Shaffer, një psikiatër dhe shkencëtar i sjelljes në Universitetin e Uashingtonit, në Seattle, thotë se një sërë rastesh studimore midis 100 dhe 118-vjeçarëve demonstruan aftësi të ngjashme apo edhe superiore konjitive, krahasuar me mesataren e 50-60-vjeçarëve.
Studime të tjera kanë zbuluar rëndësinë e përfshirjes së një sasie të konsiderueshme të stimulimit mendor në rutinën tuaj të përditshme, për aq kohë sa të jetë e mundur. Për shembull, njerëzit që punojnë një javë normale pune gjatë të 50-tave dhe 60-ave mendohet se janë më elastikë ndaj rënies konjitive, sesa ata që dalin në pension herët.
“Ne kemi parë se ata njerëz që filluan të merrnin mësime për piano në vitet 80 panë një përmirësim në funksionin e trurit”, thotë Shaffer. “Qëndrimi në punë, ose të paktën i angazhuar shoqërisht në një aktivitet, ka një ndikim shumë të mirë në ruajtjen e funksioneve.”
Një nga arsyet për këtë mendohet të jetë se ngjarjet stresuese afatshkurtra stimulojnë qelizat burimore në tru që të shumohen në qeliza të reja nervore, duke rezultuar në një performancë mendore të përmirësuar.
Duke pasur parasysh shkallët spirale të demencës të parashikuara gjatë dekadave të ardhshme, interesi për lidhjen midis stresit pozitiv dhe shëndetit në jetën e mëvonshme vetëm do të rritet. Ekipet e shkencëtarëve në mbarë botën planifikojnë të përpiqen të shfrytëzojnë vetitë e dobishme të stresit të moderuar në të gjithë fushën e mjekësisë, për shembull në përmirësimin e shërimit dhe rikuperimit pas operacionit. Studimet tregojnë se kjo mund të rrisë sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, ndërsa në fillim të këtij viti një provë klinike e kryer nga Guy’s & St Thomas’ Charity zbuloi se stërvitja mund të ndihmojë në përmirësimin e efikasitetit të kimioterapisë, si dhe të eleminojë disa nga ndikimet që ajo mund të ketë në trup.
Por ekziston një kufi i hollë midis stresit shumë të vogël dhe të madh. Inflamacioni i vazhdueshëm i shkallës së ulët që rezulton nga stresi kronik ka qenë i lidhur me obezitetin, sëmundjet e zemrës, diabetin, depresionin, astmën dhe Alzheimer-in, ndër të tjera.
Philp e përshkruan stresin e moderuar më shumë si një puls, ku rrugët dhe indet e ndryshme molekulare në trup stimulohen, përpara se të kthehen në normalitet. “Me stresin kronik, këto rrugë aktivizohen dhe më pas qëndrojnë të aktivizuara për një kohë të gjatë,” thotë ai. “Reagimi inflamator nuk mund të jetë aq i shkathët dhe fleksibël sa do të ishte normalisht.”
Por impulset e rregullta të stresit të butë deri në mesatar mendohet të jenë thelbësore për trupin që të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të shëndetshme. “Të gjitha sistemet tona janë në gjendje pushimi dhe më pas pak stres – ndryshimi i rrjedhës së gjakut në tru ose kontraktimi i muskujve – do të hapë rrugë të ndryshme molekulare”, thotë Philp. “Ne kemi evoluar për të qenë aktivë dhe duke iu përgjigjur stimujve të ndryshëm, dhe nëse kjo eleminohet, përshpejton proceset negative.”
Prandaj të kuptuarit e përfitimeve të llojeve të ndryshme të stresit – nga stërvitja deri te të pasurit një qëllim të vazhdueshëm në jetë – janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në kontekstin e plakjes së shëndetshme.
Fraksion.com