AktualitetKosovaTë fundit

Në Mitrovicën e Veriut protestohet kundër “tradhtisë” së Vuçiqit

Në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – është protestuar të dielën kundër, siç u tha nga organizatorët, “tradhtisë së lartë” të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe “torturës ndaj serbëve dhe pushtimit të veriut”, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rreth 200 qytetarë u mblodhën mesditën e 8 janarit para objektit të Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar – ku protestuan kundër politikës zyrtare të Serbisë në Kosovë dhe qëndrimit të “Kurtit ndaj serbëve”.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar disa herë që nuk është kundër qytetarëve serbë, por kundër “kriminelëve serbë” që thyejnë ligjin në Kosovë.

Protestuesit kanë shpalosur një pankartë ku shkruhej “Vuçiq, Kosova nuk të do. Na ke tradhtuar. Nuk e duam as Asociacionin tënd. Na ke shitur!”.

Aty përveç Vuçiqit e Kurtit, u kritikua edhe Lista Serbe.

Njëri nga organizatorët e protestës, Ivan Miletiq, tha se janë mbledhur ngase “ka ardhur ora e fundit, dhe populli i Mitrovicës dhe Kosovës nuk do të ndalet dhe nuk do të dorëzohet, e do të luftojë deri në fund”.

Ai tha se gjatë vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës, kanë besuar se Vuçiqi do të qëndrojë prapa serbëve dhe t’i mbështesë ata, “por kjo nuk ndodhi”.

Gjithashtu, ai i bëri thirrje Kurtit dhe bashkësisë ndërkombëtare që t’i tërheqin të gjithë policët e njësisë speciale nga veriu i Kosovës dhe t’i mbyllin bazat atje.

Në fillim të dhjetorit, Qeveria e Kosovës tha se në veri është policia e rendit, por njësitë speciale të PK-së.

Miletiqi tha se ata nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar dhe popullit që ka vullnet të mirë.

U tha po ashtu se askush nuk është kundër shtetit të Serbisë, por se po u kërkojnë liderëve në Serbi që mos t’i “mbrojnë në këtë mënyrë”, ngase sipas tyre, asnjë listë e imponuar serbe nuk i përfaqëson ata, dhe i kërkuan Beogradit zyrtar që “t’i dëgjojë njerëzit që jetojnë këtu, të cilët po shantazhohen dhe kanë frikë”.

Një tjetër organizator i protestës, Nebojsha Joviq, tha se serbët kanë problem me politikën e Kurtit, por se është detyrë e Vuçiqt që të garantojë sigurinë e serbëve në veri.

Ai tha se Lista Serbe nuk mund të përfaqësojë më serbët, ngase sipas tij “fatin e vendosin biznesmenët dhe politikanët e dështuar”.

Për njëzet ditë me radhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore u vendosën barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare të Kosovës dhe Serbisë.

Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste kundër arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, i cili sipas autoriteteve kosovare dyshohet se ka organizuar një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Serbët vendosën t’i heqin barrikadat pas ndryshimit të masës së sigurisë së Dejan Pantiqit nga paraburgimi në arrest shtëpiak./rel

 

Fraksion.com