AktualitetBota+Të fundit

SHBA, beteja për kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, McCarthy i afrohet fitores

Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy po i afrohet fitores në një betejë që ka rezultuar e vështirë e rraskapitëse, për të marrë detyrën e kryetarit të kësaj dhome. Në ditën e katërt të votimit, 14 nga 20 konservatorët kaluan në krahun e tij, por jo mjaftueshëm për të mos çuar drejt dështimit edhe dy raunde të tjera që u zhvilluan deri në orën 15:00 me orën lokale të Uashingtonit. Deri tani kanë dështuar 13 raude votimi. Përpara votimit zoti McCarthy u shpreh optimist rreth zhvillimeve të ditës së sotme duke u thënë gazetarëve: “Ne do t’u trondisim”.

Kthesa në zhvillimet që kanë mbajtur të paralizuar këtë dhomë, erdhi pasi zoti McCarthy ra dakord me shumë prej kërkesave të kundërshtarëve të tij brenda grupit të ligjvënësve republikanë. Mes këtyre lëshime, përfshihet rivendosja e një rregulli të kahershëm të Dhomës së Përfaqësuesve që do të lejonte çdo anëtar të vetëm të saj, të thërriste një votim për largimin nga detyra të kryetarit. Në thelb një gjë e tillë do ta vendoste zotin McCarthy nën kërcënimin e vazhdueshëm të kundërshtarëve të tij, nëse do të zgjidhej në krye të kësaj dhome.

Po kështu sipas marrëveshjes ligjvënësit pritet të kenë më shumë ndikim në hartimin dhe miratimin e legjislacionit. Mbetet për t’u parë se kur do të marrë fund ngërçi i krijuar në Kongres, që ka bllokuar veprimtarinë normale të kësaj dhome.

Përballja që ka penguar fillimin e punimeve të Kongresin e ri, vjen ndërsa shënohet përvjetori i dytë i sulmit të dhunshëm në Kapitol.

 

Fraksion.com